Komiteti për Punët e Jashtme i SHBA-së: Çështja e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë rrezikon stabilitetin rajonal

Në një dëgjesë të posaçme të Komitetit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, vendet e Ballkanit Perëndimor u diskutuan si rajon me rritje të paqëndrueshmërisë dhe sfida strategjike për ShBA, BE dhe NATO.
Kryetari i Nënkomisionit për Evropën, Keith Self, paralajmëroi rreziqet e konflikteve të ngrira dhe ndikimin e aktorëve të jashtëm si Rusia, Kina dhe Irani.
Duke folur për Kosovën, Self shprehu shqetësimin për situatën politike dhe zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025:
“Kriza zgjedhore në Kosovë ka përkeqësuar situatën si rezultat i dështimit të Republikës për krijim të qeverisë pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, duke shkaktuar zgjedhje të shpejta në dhjetor 2025. Pas zgjedhjeve, nëse Kosova formon qeveri, është shpresë e sinqertë e imja që Serbia më në fund të njohë sovranitetin e Kosovës.”
Ai gjithashtu komentoi marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe ndikimin e tyre në stabilitetin rajonal:
“Marrëdhënia e pazgjidhur e Serbisë me Kosovën është një prej çështjeve kyçe që po çon në paqëndrueshmëri në rajon që ka krijuar një të çarë strategjike që mundëson aftësinë e Rusisë për të cenuar aftësinë e BE-së dhe NATO-s për t’i fuqizuar vendet e Ballkanit.”
Self theksoi stagnimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023 dhe sfidat në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 mes Kosovës dhe Serbisë që kishte për qëllim deeskalimin e tensioneve aktuale dhe ringjalljen e marrëveshjeve të kaluara, ka stagnuar.”
“Kosova i frikësohet formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe pasi Serbia mund ta keqpërdorë atë. Prandaj, ende nuk e ka themeluar të njëjtën.”
Duke folur për të drejtat e pakicave, ai u shpreh se Kosova ka legjislacion që mbron këto të drejta të cilat i tejkalojnë edhe ato të vendeve të BE-së.
- YouTube www.youtube.com
Self paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e një konflikti të ri në Ballkan, ku Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të ishin në vijën e parë, dhe aktivizimi i Traktatit të NATO-s mund ta kthente situatën në një çështje të sigurisë kolektive euro-atlantike:
“Ballkani Perëndimor mbetet rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë. Konfliktet e ngrira po i japin hapësirë Rusisë, Kinës dhe Iranit të cilët po shfrytëzojnë krejt këtë situatë për të minuar ndikimin e ShBA-së, Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Në vijën e parë do të ishin Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Nëse një situatë e tillë ndodh, do të aktivizohej Traktati i NATO-s duke e shndërruar këtë në çështje të sigurisë kolektive euro-atlantike.”
Politikani amerikan William Richard Keating paralajmëroi për orientimin e Serbisë.
“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq më shumë se me Amerikën po forcon marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.”
“Duket të ketë progres të mëtejmë në dialogun Kosovë-Serbi i cili do t’i çojë vendet më afër BE-së. U bëj thirrje liderëve të të dyja vendeve që të ndalojnë retorikën nxitëse.”
Profesori i universitetit “Johns Hopkins”, Edward Joseph, kritikoi qasjen amerikane ndaj Kosovës dhe sugjeroi një ndryshim strategjik, derisa gjatë raportimit përmendi edhe sulmin në Banjskë, sikurse rrëmbimin e qytetarit serb të Kosovës nga Serbia.
“ShBA mund të prish marrëdhënien destruktive të Serbisë me Rusinë dhe Kinën duke e trajtuar çështjen me Kosovën. Përgjigja përfundimtare nuk është dialogu i udhëhequr nga BE-ja, por rruga për anëtarësim në NATO për Prishtinën dhe Beogradin. Presidenti Trump është në pozitë shumë të mirë për të bërë këtë ofertë transformuese. Në ndërkohë, ShBA-ja duhet të heq dorë nga qëndrimi i pabalansuar ndaj Beogradit dhe Prishtina, ku vetëm kjo e fundit mbahet përgjegjëse për provokime", u shpreh ai.


















































