LAJMI I FUNDIT:

KOMF thirrje prindërve: Rri n’shpi, mbrojë fëmijët!

KOMF thirrje prindërve: Rri n’shpi, mbrojë fëmijët!

Koalicioni i Fëmijëve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, kërkon nga prindërit, kujdestarët dhe familjet të kenë prioritet mbrojtjen e fëmijëve nga transmetimi i virusit COVID-19 dhe efektet negative psikologjike që mund të vinë tek fëmijët si pasojë e kësaj pandemie.

KOMF konsideron që prindërit dhe kujdestarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm për të siguruar parandalim, mbrojtje, informim të saktë dhe mirëqenie për fëmijët.


“KOMF ju bën thirrje juve prindër dhe kujdestarë të fëmijëve, që të mbani fëmijët e sigurt brenda ambientit familjar, në shtëpi, e cila në këtë periudhë po konsiderohet si masë e domosdoshme për mos ekspozimin e fëmijëve dhe parandalimin e përhapjes së virusit. Prindër, reduktoni daljet veç në raste emergjente!  Lidhur me masat parandaluese për mbrojtjen e fëmijëve nga virusi COVID- 19, prindër, ndiqni rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rekomandime këto sikur larja e duarve sa më shpesh me ujë dhe sapun, mbajtja e higjienës personale dhe higjienës së shtëpisë, ajrosja e shtëpisë, qëndrimi në distancë nga njëri tjetri së paku 2 metra”.

KOMF thekson se duke pasur parasysh situatën e krijuar, është e kuptueshme që prindërit dhe kujdestarët të ndjeheni të mbingarkuar nga gjithçka që dëgjoni për pandeminë COVID-19.

“Është gjithashtu e kuptueshme nëse fëmijët tuaj ndjehen të shqetësuar. Fëmijët mund ta kenë të vështirë të kuptojnë atë çfarë shohin në internet, televizion ose që atë që dëgjojnë nga njerëz të tjerë, kështu që ata mund të jenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndjenjave të ankthit, stresit dhe mërzitjes. Prandaj KOMF ju bën thirrje juve prindër që të keni një diskutim të hapur dhe mbështetës me fëmijët tuaj, në mënyrë që t’i ndihmoni ata të kuptojnë, të përballojnë dhe madje të japin një kontribut pozitiv për të tjerët”, thuhet në reagimin e KOMF-it.

Për të zvogëluar ndikimet e mundshme negative të situatës së krijuar tek fëmijët, KOMF rekomandon këto masa:

Inkurajoni fëmijët që të shprehin shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen e krijuar;

Informoni drejt dhe saktë fëmijët lidhur me virusin COVID-19. Varësisht nga mosha dhe zhvillimi i fëmijës, ofroni informacionin, zgjidhni qasjen dhe metodologjinë e përshtatshme. Gjatë diskutimit, tregohuni të gatshëm t’i dëgjoni, ofroni mbështetje, vëmendje dhe siguri;

Informoni fëmijët për mënyrat e mbrojtjes dhe parandalimit të shpërndarjes të virusit siç janë larja e duarve, dezinfektimi i duarve, mbajtja e distancës së nevojshme dhe të ngjashme. Bëjeni këtë bashkërisht duke përdorur metoda argëtuese, përmes lojës, leximit, këngës dhe vizatimit;

Vazhdoni rutinën familjare normalisht, zhvilloni sa më shumë aktivitete edukative dhe argëtuese me fëmijët;

Hulumtoni për libra, filma, lojëra të ndryshme për angazhim të familjes gjatë kësaj kohe;

Punoni më fëmijët në mënyrë që të mos shkëputen nga sistemi arsimor;

Mundësoni komunikimin në distancë (online) me shoqërinë e tyre, në mënyrë që të mos ndërprenë jetën sociale;

Punoni dhe hulumtoni me fëmijët për të zhvilluar aftësi të reja tek ta.

 KOMF kërkon angazhim maksimal të të gjithë prindërve dhe akterëve të përfshirë në menaxhimin e situatës më COVID-19, me qëllim ruajtjen e shëndetit të fëmijëve. /Telegrafi/