LAJMI I FUNDIT:

Komentet e Mnuchin për dollarin shkaktuan rënien e shpejtë të valutës

Komentet e Mnuchin për dollarin shkaktuan rënien e shpejtë të valutës

Dollari ra në nivelin më të ulët që prej vitit 2014, një ditë pasi Sekretari i i Thesarit, Steve Mnuchin tha se zhvlerësimi i valutës do të ndihmojë ekonominë.

“Zhvlerësimi i dollarit është diçka pozitive për ne pasi lidhet me tregtinë dhe mundësi të tjera. Vlera në afatshkurtër e valutës nuk përbën fare shqetësim për ne”, tha Mnuchin në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës, shkruan Telegrafi.


Mirëpo, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, tha se Mnuchin duhet të shpjegojë komentet e tij në lidhje me mbështetjen e dollarit të dobët, duke shtuar se reforma tatimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mundësi që të shkaktojë rritjen e valutës.

“Shpresoj që Sekretari Mnuchin do të ketë mundësinë të qartësojë komentet e tij. Dollari është një valutë fleksbile, ku vlera përcaktohet nga tregjet dhe përshtatet nga themelet e politikave të Shteteve të Bashkuara”, tha Lagarde.

Sipas analistëve, shprehja në publik e preferencës së dollarit të dobët, ka gjasa të rrisë rrezikun e luftës globale të valutave.

Nga ana tjetër, fuqizimi i paundit britanik po mirëpritet nga ministri i Financave në Britani, Philip Hammond dhe sipas tij forcimi i valutës mund të nxisë ekonominë duke ulur inflacionin që ka kaluar rritjen e pagave që prej referendumit të BREXIT-it.

Hammond, në lidhje me komentet e Mnuchin, tha se nuk beson se do të shkaktojë një luftë të valutave. /Telegrafi/