Koci: Kosova është në tehun e luftës hibride të Serbisë, ulja e tensioneve në prag të zgjedhjeve është urgjencë kombëtare

Në “Përballje Podcast”, analisti politik Melazim Koci dha një paralajmërim të rëndësishëm për gjendjen aktuale politike në Kosovë, duke e quajtur këtë moment një nga më delikatët e viteve të fundit.
Ai theksoi se vendi po ndodhet në mes të një presioni të shumëfishtë, ku dezinformimi dhe operacionet hibride të Serbisë po shfrytëzojnë maksimalisht tensionet e brendshme.
Koci tha se situata është bërë tejet e rrezikshme dhe kërkon maturi të menjëhershme nga subjektet politike.
“Është bërë imperativ që subjektet politike t’i ulin tensionet. Për një arsye shumë të thjeshtë, Kosova është në tehun e luftës hibride të Serbisë”, ka shtuar ai.
Koci tha se veprimet hibride nuk vijnë vetëm nga Serbia, por janë të ndërthurura edhe me ndikime nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
“ Ajo luftë hibride e Serbisë qe zhvillohet nga qendra në Nish, në Beograd… e po të mos e them Moskën. Sepse është një luftë e kombinuar ruso–serbe”, ka potencuar ai.
Sipas Kocit, polarizimi i brendshëm e bën Kosovën edhe më të prekshme.
“Nëse ne akuzohemi ndërmjet veti, ky është agjent serb, ai është njeriu i Serbisë... ajo luftë hibride shumëfishohet”, deklaron ai.
Koci shton se është jashtëzakonisht e lehtë që struktura të Serbisë të krijojnë profile të rreme në rrjetet sociale.
“Nuk është e vështirë të hapen një mijë profile në Beograd me emra shqiptarë dhe të gjuash benzinë ne zjarr”, deklaron Koci.
Analisti tha se retorika e ditëve të fundit e ka kaluar çdo kufi.
“Kurrë më e rëndësishme s’ka qenë ulja e tensioneve. Duhet hequr menjëherë nga fjalori gjuha e urrejtjes. Ka pasur oratori të rrezikshme. Kosova duhet të ruajë qetësinë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/


















































