Koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Mitrovicës aktualisht është në një fazë të brishtë, pasi nuk ka marrëveshje për ndarjen e drejtorive – më saktë emrat se kush do të drejtojë ato.

Ndonëse LDK ka marrë kryesimin e Kuvendit Komunal, po ashtu do t’i ketë edhe dy drejtori, mungon marrëveshja se kush do të jetë në krye të tyre.


Nga raportimet e fundit, bëhet e ditur se LDK ka vendosur të largohet nga koalicioni më LVV-në në Mitrovicë.

Në lidhje me këtë situatë, Telegrafi ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili ka thënë se është i gatshëm për bashkëpunim

“Ne jemi të hapur për bashkëpunim edhe me LDK për çka jemi treguar tepër gjeneroz”, tha ai.

"Nëse z. Plakolli me 3% ka ambicie sa për nënkryetar e mandej drejtor e krejt ndërmarrjet komunale, unë i bëj me dije se me 3% jo qe nuk mundesh me marrë në drejtim institucionet kryesore, po me 3% as iPhone nuk punon", shtoi Peci.

Janë paralajmëruar që gjatë kësaj jave do të zhvillohen takime mes dy partive, për të finalizuar ndarjen e drejtorive, ndërsa Telegrafi do të vazhdojë të ju mbajë të informuar për zhvillimet e fundit në Komunën e Mitrovicës. /Telegrafi/