Klubi i basketbollit "Grapeland" edhe zyrtarisht pjesë e Superligës

Në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, e cila ishtë e stërmbushur me tifozë, gjatë mbrëmjes së djeshme është zhvilluar ndeshja e tretë finale e fazës së “Play-Off”- it të Ligës së Parë, në mes të klubit të basketbollit “Grapeland” dhe klubit të basketbollit “KEK”-u, ndeshje e cila u mbyll me rezultatin 75:69, në të mirën e skuadrës së “Grapeland”, ku pas kësaj fitoreje skuadra nga Rahoveci ka arritur që nga sezoni i ardhshëm të jetë pjesë e Superligës së basketbollit të Kosovës.
Këtë ndeshje më mirë e nisën vendasit të cilët kishin vazhdimisht epërsi në çerekun e parë, mirëpo në çerekun e dytë ishte skuadra e KEK-ut e cila për një nuancë u tregua më efikase, duke e mbyllur çerekun e dytë me një pikë më shumë, për të ngushtuar kështu rezulatin e pjesës së parë në 38 – 33.
Por në pjesën e dytë, e veçanërisht në momentet vendimtare më efikasë u treguan basketbollistët e skuadrës nga Rahoveci, duke arritur që në fund ta mbyllnin ndeshjen me fitore, duke e siguruar në këtë mënyrë edhe inkuadrimin në Superligën e basketbollit të Kosovës, që nga sezoni i ardhshëm.
Sa i përket çmimeve individuale në këtë finale, lojtari më i vlefshëm apo MVP, u shpall kapiteni i skuadrës “Grapeland”, Bardh Rexha, i cili këtë ndeshje e mbylli me 20 pikë e 11 kërcime.
Ndër të tjera theksojmë që “KEK”-u do të ketë edhe një mundësi pëër inkuadrim në Superligë, pasiqë luan në “Play-Out” me skuadrën e Borës, e cila sezonin debutues në Superligë e mbylli në pozitën e gjashtë. /Telegrafi/










































