Kontrata e mesfushorit të Manchester United, Bruno Fernandes, raportohet se përfshin një klauzolë lirimi që mundëson transferimin e tij jashtë Ligës Premier, duke hapur një tjetër kapitull spekulimesh rreth së ardhmes së kapitenit portugez në “Old Trafford”.

Fernandes kishte tërhequr vëmendje serioze nga Arabia Saudite gjatë verës, duke zhvilluar bisedime konkrete me Al Hilal për një transferim shumë milionësh. Megjithatë, ai vendosi të vazhdojë me Manchester United, duke theksuar se do të largohej vetëm nëse klubi nuk do ta dëshironte më në projektin e tij.


Lidhjet me Lindjen e Mesme kanë vazhduar në heshtje që prej asaj kohe, por situata u ndez sërish pas një interviste tronditëse të Fernandes këtë javë, ku ai deklaroi se United në fakt kishte qenë i gatshëm ta shiste te Al Hilal, por nuk kishte guximin t’ia thoshte këtë drejtpërdrejt.

“Klubi donte të më shiste, por nuk ma thanë kurrë në sy”, deklaroi Fernandes, duke shtuar dyshimet rreth marrëdhënies së tij me drejtuesit e klubit.

Pas kësaj interviste, mesfushori portugez ka lënë të kuptohet gjithashtu për mundësi transferimi si në La Liga të Spanjës, ashtu edhe në Serie A të Italisë. E ardhmja e tij në “Old Trafford” tashmë duket më e paqartë se kurrë, ndërsa raportimi i fundit i Daily Mail mbi një klauzolë lirimi vetëm sa i shton spekulimet.

Sipas këtij raporti, kontrata e Fernandes përmban një klauzolë daljeje prej 56.6 milionë funtesh, e vlefshme vetëm për klubet jashtë Ligës Premier.

Pavarësisht deklaratave befasuese, Fernandes ka theksuar vazhdimisht dëshirën e tij për të qëndruar te Manchester United për aq kohë sa klubi e konsideron të rëndësishëm.

Sipas Fabrizio Romano, drejtuesit e Manchester United janë të bindur se Fernandes ka ende një rol kyç në skuadër. Në reagim ndaj intervistës së tij, “Djajtë e Kuq” e kanë bërë të qartë se nuk kanë asnjë plan për ta shitur 31-vjeçarin.

Klubet saudite pritet të rikthejnë interesimin, ndërsa deklaratat e hapura të Fernandes për dëshirën për të luajtur në La Liga apo Serie A mund të nxisin interes edhe nga këto kampionate. Nuk përjashtohet as një rikthim sentimental në Lisbonë, te Sporting, para se ai t’i japë fund karrierës./Telegrafi

telegrafi sport app