KKSB në komunën e Gjakovës raporton për çështjet kryesore të sigurisë, arsimit dhe shërbimeve publike

Nën kryesimin e Kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, është mbajtur mbledhja e radhës e Komisionit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ku u diskutuan çështje kryesore në fushat e sigurisë, arsimit dhe shërbimeve publike në komunën e Gjakovës.
Në fushën e sigurisë, kapiten Ramë Beka, zv. komandant i Stacionit Policor në Gjakovë, prezantoi raportin gjashtëmujor, sipas të cilit ka pasur një rritje prej 44% të rasteve të raportuara krahasuar me vitin e kaluar, me një shkallë zbulueshmërie prej 52%.
Nga ana e arsimit, drejtoresha e drejtorisë komunale të Arsimit, Eranda Kumnova-Baçi informoi se viti shkollor po përfundon sipas planifikimit dhe njoftoi datat e testimeve kombëtare: Testi i Arritshmërisë më 27 qershor dhe Matura Shtetërore në 21 qershor (afati i parë) dhe 28 gusht (afati i dytë).
Ndërsa sa i përket sektorit të shërbimeve publike, drejtori i kësaj drejtorie në komunën e Gjakovës, Nikollë Lleshi njoftoi se janë përgatitur punimet për mirëmbajtjen verore të rrugëve, duke përfshirë pastrimin e rrugëve, trotuareve, shesheve, lumit Krena dhe pusetave, në bashkëpunim me KRM “Çabrati”.



















































