Kosova që duam nuk është ajo ku - në ditën e lavdishme të UÇK-së, më 5 mars - bëhet hajgare me shtetin.

Kosova që duam nuk është ajo ku në mesnatë tentohet të ndryshohen amendamentet kushtetuese që presidenti i vendit të zgjidhet nga populli. Ku ishim këto vite?


Kjo është një çështje që kërkon konsensus politik e nacional dhe një proces gjithëpërfshirës. Nuk bëhet kështu.

Kosova që duam nuk është ajo që krijon paqartësi dhe konfuzion. Kjo u konvenon vetëm armiqve të Kosovës.

Kosova që duam nuk është ajo që e çon vendin në zgjedhje 4-5 herë brenda një periudhe njëvjeçare.

Kosova që duam nuk është ajo ku partia që ka fituar 51 përqind të votave e udhëheq pothuajse të gjithë shtetin, por nuk arrin ta menaxhojë çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit për të ecur përpara me stabilitet institucional, gjë që ishte e mundur.

Kosova që duam nuk është vendi ku, për shkak të inateve personale e politike, rrezikohet stabiliteti i shtetit.

Kosova që duam nuk është vendi ku liderët politikë nuk janë të gatshëm ta tejkalojnë bindjen partiake në momentet më kritike për vendin.

Kosova që duam nuk është ajo ku seanca për zgjedhjen e presidentit mbahet pak para orës 12 të natës dhe ndërpritet për mungesë kuorumi.

Kosova që duam nuk është ajo ku, një ditë më pas, dekretohen zgjedhje të reja të jashtëzakonshme dhe krijohen paqartësi: Çfarë ndodh tani? Kur shkojmë në zgjedhje? A do të presim çfarë thotë Gjykata Kushtetuese?

Kjo nuk është Kosova për të cilën kanë luftuar heronjtë e Kosovës.

Është dëshpëruese për të ardhmen e fëmijëve tanë që, në këtë vend, politikanët nuk janë të përgjegjshëm.

Kosova që duam është e kundërta e kësaj.