Duken të kushtueshëm, elegantë dhe i japin çdo veshjeje një harmoni glamuroze – ndërsa nuanca e butë e vjollcës është perfekte për kalimin nga vera në vjeshtë

Vjeshta është në prag dhe bashkë me të nis edhe "rregullimi i madh" – i hapësirës së jetesës, gardërobës dhe vetë jetës. Edhe rutina e bukurisë ndryshon, pasi moti më i ftohtë kërkon një kujdes tjetër për lëkurën, ndërsa edhe bota e manikyrit po ndërron ngjyrat.


French-i candy, efekti "xham deti" dhe 50 nuancat e blusë po u lënë vend toneve më të sofistikuara dhe më të thella, tipike për sezonin që po vjen. Por nëse ende nuk dëshironi të largoheni nga ngjyrat e çelëta, thonjtë në nuancë lavande janë zgjidhja ideale për këtë periudhë kalimtare, veçanërisht nëse preferoni opsionet neutrale.

Ndërsa estetika e "luksit të heshtur" po bëhet gjithnjë e më popullore, në sallonet e manikyrit po kërkohet gjithnjë e më shumë kjo nuancë e butë vjollce. Pastel, qetësuese dhe elegante, me një efekt qumështor që i jep nota të sofistikuara dhe paksa nostalgjike, ajo arrin të duket njëkohësisht e kushtueshme, glamuroze dhe elegante.

Përveç trendsetereve dhe rrjeteve sociale, thonjtë në ngjyrë livande po fitojnë terren edhe mes të famshmeve – këtë stil e kemi parë tashmë te yjet e muzikës Rihanna dhe Selena Gomez, transmeton Telegrafi.

Një zgjedhje e papritur? Në fakt, aspak.

Livanda është zgjidhja perfekte për atë periudhë që mund ta quajmë "mes dy stinëve", kur ende nuk duam t'i themi lamtumirë verës, por njëkohësisht na ftohet vetëm nga mendimi për sezonin që po afron.

Ekspertët e nail art-it e kanë mirëpritur këtë trend, pikërisht sepse nuk e prish harmoninë e veshjes. Përkundrazi, e thekson dhe e ngre pamjen në një nivel tjetër. E pastër, e butë dhe diskrete, por në të njëjtën kohë mjaftueshëm e veçantë për t'u vënë re.

Këtë vjeshtë dhe dimër pritet të dominojë manikyri qumështor me nuanca të bukura vjollce, si dhe efektet kromatike me reflektime në tonet e livandës. Edhe french-i me majat në këtë ngjyrë është një tjetër mënyrë për ta përfshirë trendin në pamjen tuaj.

Dhe ajo që e bën lavandën veçanërisht tërheqëse është shkathtësia e saj. Ajo kombinohet jashtëzakonisht mirë me veshjet në tonet e vjeshtës: freskon ngjyrën gri, ndërsa të zezës i shton një butësi të sofistikuar. Në kombinim me aksesorët e argjendtë duket veçanërisht glamuroze, ndërsa me bezhën, kafenë e çelët dhe ngjyrën karamel krijon një atmosferë më të ngrohtë dhe sensuale.

Pra, nëse kërkoni një manikyr që të mos duket as tepër veror, as tepër dimëror, livanda mund të jetë pikërisht ajo nuancë që po kërkonit.

/Telegrafi/