Punimet restauruese në ndërtesën e Kino Lumbardhit në Prizren pritet të fillojnë së shpejti. Për këtë arsye, kjo kinema, do t’i mbyllë përkohësisht dyert për publikun. Mirëpo para mbylljes së përkohshme, në të do të realizohen disa aktivitete kulturore.

Fondacioni Lumbardhi ka bërë të ditur se kinemaja e veçantë e Prizrenit do të mbyllet në fillim të muajit qershor për shkak se do të hyjë në fazën e renovimit.


“Procesi i gjatë nëpër të cilin kemi kaluar për të siguruar një marrëveshje për mbylljen e ndërtesës së Kino Lumbardhit, e hapur në vitin 1952 e prej andej, ka përshkuar një mori të shndërrimeve dhe përdorimeve si kinema, hapësirë kulturore dhe vend për shoqërim, kulminohet me dakordësimin me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës për të zhvilluar punimet në ndërtesë”, thuhet në komunikatën e Lumbardhit, raporton Telegrafi.

Aty nënvizohet se prej vitit 2015, pas përpjekjeve të mëdha të komunitetit kulturor e artistik në Kosovë, rajon dhe anembanë për të ndalur procesin e privatizimit dhe zhbërjes së kësaj ndërtese historike e ikonike në qytetin e Prizrenit, “Fondacioni Lumbardhi ka operuar në këtë hapësirë me synim të rijetësimit të traditës së të parit filma dhe të krijuarit momente të reja për kulturë dhe shoqërim”.

“Me rastin e mbylljes së ndërtesës fizike të kinemasë, Fondacioni Lumbardhi ka përgatitur një program 4 ditor, në datat 25, 28, 30 dhe 31 maj, për t’u takuar për herë të fundit në këtë hapësirë e cila do të ndryshojë prej muajit qershor”, thuhet në komunikatë, raporton Telegrafi.

Lumbardhi mkrs restaurim

Programi i javës përmbyllëse përfshin shfaqje të filmave, koncerte muzikore dhe takime me komunitetin, me qëllimin “për t’u përshëndetur me këtë hapësirë si e njohim si dhe për të dhënë një ogur të mirë për kapitujt e ardhshëm të saj”.

Projekti për rivitalizimin e Kinemasë Lumbardhi në Prizren do të realizohet me mjetet nga buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pasi mbështetja e Bashkimit Evropian ishte anuluar për shkak të masave të Brukselit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës të publikuar në platformën e-prokurimi vlera e përgjithshme e kontratës për këtë projekt është mbi 976 mijë euro. /Telegrafi/