Komuna e Ferizajt ka njoftuar se Brigada e Zjarrfikësve në Ferizaj ka pranuar një donacion nga Brigada Shumëkombëshe Lindje e KFOR-it amerikan, e vendosur në kampin Bondsteel.

Sipas njoftimit, në ceremoninë e pranimit të donacionit mori pjesë drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Alberton Sahiti, ndërsa donacionin e pranoi komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Zymri Krasniqi.


Komandanti Krasniqi vlerësoi se donacioni është me rëndësi të veçantë për brigadën, pasi do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e punës së zjarrfikësve dhe do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve të tyre operative.

Gjatë ceremonisë u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Brigadës Shumëkombëshe Lindje të KFOR-it dhe Brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në fushën e emergjencave.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Alberton Sahiti, falënderoi përfaqësuesit e KFOR-it për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajt. /Telegrafi/