Dhimbja në anën e majtë të barkut, marramendja dhe rënia e tensionit mund të jenë shenja paralajmëruese të një gjendjeje potencialisht fatale

Çarja ose ruptura e shpretkës ndodh kur dëmtohet kapsula mbrojtëse ose indi i brendshëm i këtij organi, gjë që mund të çojë në gjakderdhje të rëndë të brendshme. Shpretka është një organ delikat, me madhësinë e një grushti, i vendosur në pjesën e sipërme të majtë të barkut, nën brinjët e majta.


Ajo luan një rol kyç në sistemin imunitar dhe qarkullimin e gjakut:

– filtron dhe ruan rreth 25 për qind të rruazave të kuqe të gjakut dhe trombociteve,
– ndihmon në prodhimin e qelizave të bardha të gjakut që luftojnë infeksionet.

Indi funksional i shpretkës, i quajtur “pulpa”, është i rrethuar nga një kapsulë e hollë muskulore përmes së cilës kalojnë enë të shumta gjaku, pikërisht kjo e bën shpretkën veçanërisht të ndjeshme ndaj dëmtimeve.

Çfarë e shkakton çarjen e shpretkës?

Struktura anatomike e shpretkës e bën këtë organ relativisht të lehtë për t’u dëmtuar, veçanërisht nga traumat e forta të jashtme. Kur kapsula e saj çahet ose dëmtohet, gjendja quhet rupturë e shpretkës.

Në rast se shpretka pëson çarje, ajo është organi abdominal që më së shpeshti shkakton gjakderdhje masive, potencialisht fatale. Kjo është një urgjencë mjekësore që kërkon diagnozë të shpejtë dhe ndërhyrje të menjëhershme, shpesh edhe kirurgjikale.

Shkaktarët më të zakonshëm janë:

  • Aksidentet në trafik, përgjegjëse për rreth 50–75% të rasteve
  • Dëmtimet sportive, veçanërisht në sporte kontakti si futbolli apo hokeji
  • Dhuna fizike, përfshirë goditjet, plagët me thikë apo armë zjarri

Shpretka mund të çahet menjëherë pas goditjes, por ekziston edhe ruptura e vonshme, e cila ndodh disa orë ose ditë më pas, si pasojë e ënjtjes dhe dobësimit gradual të kapsulës, transmeton Telegrafi.

A mund të çahet shpretka pa traumë?

Po, edhe pse rrallë. Ruptura spontane e shpretkës mund të ndodhë kur një sëmundje themelore shkakton zmadhimin e saj, duke dobësuar kapsulën deri në çarje.

Gjendje që mund ta favorizojnë këtë janë:

  • Sëmundjet malinje, si limfoma
  • Infeksionet, përfshirë mononukleozën infektive dhe malarien
  • Sëmundjet inflamatore kronike, si hepatiti ose pankreatiti

Cilat janë shenjat dhe simptomat e çarjes së shpretkës?

Shpretka ndodhet në kuadrantin e sipërm të majtë të barkut, nën kraharorin e majtë dhe diafragmën. Në momentin e çarjes, zakonisht shfaqet dhimbje e fortë dhe e menjëhershme në këtë zonë.

Megjithatë, për shkak se traumat që dëmtojnë shpretkën shpesh shoqërohen edhe me dëmtime të tjera (p.sh. fraktura brinjësh), pacienti mund të mos e dallojë menjëherë burimin e saktë të dhimbjes.

Një shenjë tipike është zhvendosja e dhimbjes drejt shpatullës së majtë ose kraharorit të majtë, e njohur si shenja e Ker-it (Kehr sign). Kjo ndodh sepse gjaku që grumbullohet irriton nervin frenik të majtë, i cili lidh diafragmën me qafën dhe shpatullën.

Dhimbja shpesh:

  • përkeqësohet gjatë frymëmarrjes
  • shoqërohet me ndjesi presioni në bark

Shenja të tjera alarmuese që tregojnë gjakderdhje të brendshme

Përveç dhimbjes, çarja e shpretkës mund të shkaktojë simptoma të lidhura me humbjen e gjakut dhe rënien e shpejtë të tensionit arterial, si:

  • marramendje ose humbje të vetëdijes
  • konfuzion mendor ose çorientim
  • turbullim të shikimit
  • zbehje të lëkurës, djersë të ftohta
  • ankth dhe shqetësim të theksuar
  • nauze (të përziera)

E rëndësishme: Çdo dyshim për çarje të shpretkës kërkon ndihmë urgjente mjekësore, pasi vonesa në trajtim mund të jetë fatale. /Telegrafi/