Shtatë policë janë lënduar në Indi, gjatë orës policore që aplikohet në këtë vend për shkak të coronavirusit.

Njërit prej tyre i është prerë dora, kurse gjashtë tjerët kanë pësuar lëndime të rënda trupore, kur u sulmuan nga një grup burrash të cilët nuk deshën të kthehen në shtëpitë e tyre, transmeton Telegrafi.

Ngjarja e tmerrshme ka ndodhur në veri të Punjab, kur policët ndalën një veturë me burra të cilën po tentonin të kalonin përmes punktit të policisë.

Kur njëri polic iu afrua veturës dhe nga shoferi kërkoi lejen për lëvizje, në vend të letrave shoferi nxori hanxharin me të cilën ia preu shuplakën e dorës. Më pas me këtë hanxharë ka lënduar edhe gjashtë policët tjerë, që tentuan ta ndihmojnë kolegun e tyre.

“Pjesëtarët tanë nuk kanë qenë të armatosur. Çfarë krijese duhet të jesh që ta sulmosh në atë mënyrë një njeri”, ka deklaruar komandanti Amarinder Sing.

Ai ka njoftuar opinionin publik se polici i lënduar i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ku mjekët kanë arritur t’ia qepin shuplakën e dorës.

“Operacioni ka zgjatur tetë orë dhe shpresojmë që kolegu ynë do të mund sërish ta lëviz shuplakën e dorës. Falënderojmë mjekët për mundin dhe që i kanë shpëtuar jetën”, ka shtuar Sing.

Jo shumë kohë pas sulmit, policia ka gjetur sulmuesit të cilët menjëherë i ka arrestuar – bëhet fjalë për shtatë burra. /Telegrafi/