Kërkohet me ngulm nga Real Madridi dhe Barcelona, Dortmundi i vendos çmim të lartë yllit të skuadrës

Borussia Dortmund ka vendosur çmimin për Nico Schlotterbeck, pas interesimit të madh nga Barcelona dhe Real Madridi.
Sipas “Sports Bild”, klubi gjerman e vlerëson mbrojtësin 25-vjeçar rreth 50 milionë euro, një shifër që pasqyron statusin e tij si një nga mbrojtësit më të mirë gjermanë aktualisht.
Schlotterbeck përputhet me profilin që Barcelona kërkon në repartin defensiv, pasi është këmbë-majtë, i shpejtë dhe i rehatshëm për të luajtur me vijë të lartë mbrojtëse. Këto elemente e bëjnë atë një opsion tërheqës për sistemin që preferon trajneri Hansi Flick.
Ylli gjerman shquhet edhe në lojën ajrore dhe paraqet rrezik konstant nga goditjet standarde. Gjatë periudhës së tij te Borussia Dortmund, Schlotterbeck ka shënuar gjithsej shtatë gola, një shifër e konsiderueshme për një qendërmbrojtës.

Sa i përket eksperiencës, ai numëron afro 150 paraqitje zyrtare me Dortmundin, si dhe 23 ndeshje me përfaqësuesen e Gjermanisë në nivelin senior, duke konfirmuar pjekurinë dhe stabilitetin e tij në nivele të larta konkurruese.
Vlerësimi prej 50 milionë eurosh vjen pas raportimeve se Schlotterbeck është i hapur për një largim nga Dortmundi, zhvillim që ka vënë Barcelonën në gatishmëri përpara afateve të ardhshme kalimtare.
Ende nuk dihet nëse Barcelona ose Real Madridi mund ta paguajnë këtë çmim, por diçka është thuajse e sigurt, se do të largohet nga klubi gjerman në verë./Telegrafi










































