Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka mbajtur fjalën e tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, teksa këtë të premte do të zgjidhen 3 anëtarët e rinj.
Çela u shpreh se prokurorët po kalojnë një periudhë të vështirë, duke iu referuar edhe kërcënimeve nga bota e krimit, ku pas dëshmive të Artan Tafanit, të penduarit të drejtësisë, u zbulua se grupi i Laert Haxhiut do të ekzekutonte dy prokurore.
Sipas Çelës, pengesa të tilla mund të kapërcehen vetëm duke qëndruar së bashku.
“Mirëfunksionimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë përbën pa asnjë dyshim një nga elementët më të rëndësishëm të reformës në drejtësi. Garantimi i pavarësisë së prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre, sigurimi dhe mbrojtja e statusit, karriera e bazuar tek meritokracia, llogaridhënia përmes një procesi disiplinor transparent dhe objektiv, të marra së bashku, formojnë bazamentin që lejon funksionimin normal të prokurorisë si një nga komponentët kryesorë të sistemit të drejtësisë. Pikërisht për këtë rol thelbësor që këshilli luan, procesi i zgjedhjes së anëtarëve të tij ka rëndësi madhore”, tha kryeprokurori.
“Me hyrjen e tre anëtarëve të rinj në këtë këshill, ripërtërihet plotësisht përbërja e tij që nga momenti i krijimit në dhjetorin e vitit 2018. Në këto rrethana, e gjej me vend të falënderoj anëtarët e tij ende në detyrë si dhe ata të cilët e kanë përfunduar mandatin, për kontributin e dhënë në funksionimin e institucionit të prokurorisë, në kontekstin e ndryshimeve të thella kushtetuese e ligjore. Natyrisht që ka gjëra apo procese që mund të ishin bërë më mirë apo përfunduar më shpejt, por këshilli është një organ i ri dhe e ka ushtruar veprimtarinë në rrethana aspak të lehta për sistemin e drejtësisë në vend. Procesi i vetingut dhe vakancat e krijuara nuk e kanë bërë aspak të lehtë punën për askënd, ashtu si dhe zbatimi i një sërë ligjesh të reja që kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si funksionon prokuroria, standardet që lidhen me karrierën dhe procesin disiplinor, natyrshëm do të ndeshej me probleme aspak të thjeshta”, shtoi ai.
“E parë në këtë këndvështrim, mbetet sfidë për këshillin e ripërtërirë si konsolidimi i mëtejshëm i arritjeve të deritanishme, ashtu edhe përshpejtimi apo korrigjimi i proceseve që mund të mos kenë ecur si duhet. Veçoj këtu ecurinë e vlerësimit të prokurorëve. Vështirësitë objektive që po has këshilli dëshmojnë nevojën për një rishikim të rregullores përkatëse, por edhe për ndryshime të mundshme në ligj”, shtoi Çela.
“Marrëdhënia e këshillit me Prokurorin e Përgjithshëm duhet të vazhdojë të jetë prioritet. Respektimi i pozicionit kushtetues e ligjor të dy institucioneve, duke shmangur dualitetin në interpretimin e rolit të secilit brenda sistemit të prokurorisë dhe vënia e theksit tek ushtrimi i funksioneve në mënyrë komplementare në shërbim të institucionit, janë çështje themelore për mirëfunksionimin e organit. Prokurori i Përgjithshëm, i cili sipas ligjit është përgjegjës për punën e Prokurorisë së Përgjithshme e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe përfaqësues i tyre, do të vijojë të jetë kontribues pozitiv në këtë aspekt”, tha ai.
“Prokuroria po kalon në një proces kompleks transformimi. Decentralizimi dhe pavarësia e prokurorëve në vendimmarrje, si tipare të reja në organizimin e institucionit, shtrojnë përpara sfida të cilat nuk mund të zgjidhen përmes qëndrimeve inkoherente apo të pakoordinuara. Ndihet nevoja për një rritje të ndjenjës së përgjegjshmërisë nga ana e prokurorëve në veprimtarinë e përditshme në zyrat ku ushtrojnë funksionet. Në planin organizativ, prokuroria duhet të funksionojë si një e tërë, ndaj është e domosdoshme të gjendet ekuilibri mes respektimit të pavarësisë nga njëra anë, por edhe sigurimit të mekanizmave efikasë drejt arritjes së objektivave institucionalë nga ana tjetër. Kjo nuk mund të arrihet pa angazhimin serioz të prokurorëve dhe drejtuesve në secilën zyrë, ashtu si dhe pa një ndërveprim e koordinim mes këtyre të fundit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Theksoj se drejtuesit e zyrave kanë një rol kyç në sigurimin e kohezionit institucional, përmes një qëndrimi proaktiv që synon sinkronizimin e veprimtarisë në të gjitha nivelet. Pikërisht në këtë kuadër merr një rëndësi të veçantë si procesi displinor ashtu edhe ai i vlerësimit të prokurorëve, për të siguruar llogaridhënien dhe meritokracinë, si instrumenta në funksion të garantimit të performancës institucionale”, shtoi me tej kryeprokurpori.
“Marrë në konsideratë sa më sipër, dita e sotme e cila është pika fundore e një rrugëtimi të nisur në muajin korrik, përbën kulmin e një procesi të zhvilluar në të gjitha prokuroritë e vendit, gjatë të cilit kandidatët kanë pasur mundësinë të takojnë kolegët dhe shpalosin pikëpamjet e tyre në lidhje me mënyrën si mund të funksionojë më mirë këshilli dhe kontributin që ata do të japin si përfaqësuesit tuaj. Dua të ndalem pak këtu, pasi ndërkohë që ndërtojmë e konsolidojmë institucione të reja, mentalitetet e së shkuarës vazhdojnë të shfaqen herë pas here. Kufizimi i dimensionit të votës në një marrëdhënie individuale mes votuesit dhe të votuarit e dëmton veprimtarinë e këshillit. Magjistratët dhe kandidatët për këshilltarë, përmes këtij procesi votimi, janë subjekte që po realizojnë një shërbim ndaj sistemit të drejtësisë në funksion të interesit publik. Ne kemi nevojë për institucione të besueshme, që funksionojnë në përputhje me ligjin dhe garantojnë standartet, dhe jo për insititucione që i shërbejnë interesave personale.
Në këtë kontekst është e rëndësishme të sjell në vëmendjen e gjithsecilit se anëtarët e këshillit janë bartës e shërbëtorë të një përgjegjësie kushtetuese e ligjore, në funksion të garantimit të mirëfunksionimit të shtetit të së drejtës, me prokurorinë si një nga kontribuesit themelorë. Ka nevojë të kuptohet drejt domosdoshmëria e ndërtimit të një marrëdhënie solide, konstruktive e transparente mes prokurorëve dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që garanton funksionimin efikas e në përputhje me standardet të këtij të fundit. Cënimi i standarteve në mënyrën si merren vendimet për karrierën apo shkeljet disiplinore të magjistratëve, është hallka e parë e një zinxhiri që përfundon me keqfunksionimin kronik të shtetit të së drejtës.
Këto ditë kushdo ka ndjekur me shqetësim njoftimet për jetën e rrezikuar të dy kolegeve tona për shkak të detyrës. Ndërsa nga njëra anë këto fakte janë të rënda dhe duhet të marrin ndëshkimin sipas ligjit, nga ana tjetër duhet të na bëjnë më solidarë me njëri tjetrin e të kuptojmë se këto janë pengesa që mund t’i kapërcejmë vetëm duke qëndruar së bashku, përmes përkushtimit ndaj detyrës nga secili prej nesh. Vetëm ky qëndrim do të dekurajojë këdo që mendon se përmes kërcënimeve apo akteve të rënda të dhunës të drejtuara ndaj jetës së magjistratëve, mund të pengojë drejtësinë.
Po kalojmë një periudhë të vështirë, të shoqëruar prej vitesh tashmë me një besim të ulët të opinionit publik tek ne. Nuk duhet të lejojmë që disa fenomene negative, të njollosin dhe njëkohësisht të dobësojnë angazhimin tonë të përbashkët në shërbim të drejtësisë. Vendi ka nevojë për magjistratë të pavarur nga kushdo, që pikë referimi kanë kushtetutën dhe ligjin, dhe kanë kurajon dhe energjinë të përballen me sfidat e profesionit të vështirë që kanë zgjedhur.
Megjithë sa më sipër, ka edhe plot arsye pse ne duhet të ndihemi krenarë për atë që bëjmë çdo ditë në punën tonë. Dua të sjell në vëmendjen e gjithsecilit brenda apo jashtë kësaj salle se janë dhjetëra mijëra vepra penale që hetohen nga ju dhe janë po dhjetëra mijëra autorë që marrin ndëshkimin çdo vit në gjykata falë punës suaj. Shumë kriminelë të rrezikshëm kanë vuajtur apo ende vuajnë dënimet për krimet e kryera falë punës shumëvjeçare të qindra magjistratëve. Çdo çështje e zgjidhur, sado e vogël apo e parëndësishme në dukje, është në fakt një akt drejtësie i kryer për qytetarët e këtij vendi. Ne prokurorët, do të vazhdojmë të kërkojmë të bëjmë më të mirën, të palëkundur në angazhimin tonë për drejtësinë. Ndaj ta shikojmë ditën e sotme si një mundësi për më shumë normalitet. Ndryshimet janë përherë një shans i mirë për t’u përmirësuar dhe ecur përpara.
Në mbyllje të fjalës, dëshiroj t’i falënderoj kandidatët për angazhimin e tyre në këtë proces si dhe për integritetin e profesionalizmin e treguar gjatë fushatës që kanë zhvilluar e t’ju uroj atyre suksese”, tha Çela. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje