Këngëtari Marko Bosnjak, i cili këtë vit përfaqësoi Kroacinë në Eurovision me këngën “Poison Cake”, ka njoftuar se do të bëjë një pauzë nga rrjetet sociale për shkak të presionit dhe urrejtjes që ka përjetuar gjatë muajve të fundit.

Në një postim emocional, ai pranoi se ka kaluar periudha shumë të vështira me shëndetin mendor, duke ndjerë shpeshherë se nuk mund të vazhdonte më.


“Urrejtja, tallja dhe presioni më kanë sjellë në pikën më të ulët. Shpesh kam menduar të dorëzohem, por jam ende këtu. Faleminderit atyre që më mbështetën, më keni dhënë forcë më shumë sesa mendoni”, shkroi ai.

Bosnjak theksoi se po largohet përkohësisht për t’u fokusuar në shërimin e tij dhe për të përfunduar albumin e ri, të cilin e përshkroi si “pasqyrë e çdo dhimbjeje dhe çdo force të mbledhur për të mbijetuar”.

Gjithashtu u dha një mesazh fansave që mund të ndihen njësoj: “Nuk jeni vetëm. Edhe kur duket e pamundur, historia juaj nuk ka mbaruar ende”.

Artisti shtoi se gjithmonë do të luftojë kundër homofobisë, mizorisë dhe urrejtjes, duke e cilësuar vetë ekzistencën e tij si një formë proteste.

Ndërkohë, këngëtari zbuloi se së shpejti planifikon të shpërngulet jashtë Kroacisë së bashku me partnerin e tij spanjoll, me të cilin jeton aktualisht në Zagreb.

Bosnjak kujtoi gjithashtu përvojën e tij në Eurovision, ku tha se nuk mori mbështetje nga Kroacia dhe shpesh ishte objekt talljeje për shkak të homoseksualitetit të tij të pranuar hapur.

Në fund të mesazhit të tij, premtoi se ky nuk është fundi: “Kjo nuk është lamtumirë përgjithmonë. Është vetëm një pushim. Do të kthehem”. /Telegrafi/