LAJMI I FUNDIT:

Kelmendi: Qeveria Haradinaj është megalomane (Video)

Kelmendi: Qeveria Haradinaj është megalomane (Video)

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, thotë se Qeveria Haradinaj është megalomane për sa i përket numrit të anëtarëve në kabinet.

Kurse për pritshmëritë rreth saj, ka thënë se duhet t’i jepet hapësirë për punë e jo duke kritikuar dhe penguar sikur qeverinë e kaluar.


Kelmendi po ashtu në këtë intervistë flet edhe për Demarkacionin me Malin e zi dhe në çfarë forme do ta votonte LDK-ja.

“Jam në opozitë dhe dua të kem një qëndrim. Dua t’i jap hapësirë Qeverisë që mos të ketë pengesa dhe kritika fillestare, e jo ashtu si na e kanë bërë ata neve. Veprimet e opozitës gjatë tërë kohës kanë qenë dhunuese dhe penguese me një fjalë e kanë penguar punën e ministrave. Praktikisht kanë paraqitur pengesë edhe protestat”, ka thënë Kelmendi.

Ai po ashtu tha se e arsyeton qeverisjen aktuale të zmadhuar pasi sipas tij, partitë politike në koalicion duhet të rehatohen nëpër pozita sepse në të kundërtën paraqet rrezik funksionimi i Qeverisë.

“Janë 50 zëvendësministra të cilët janë të panevojshëm. Por meqë ka shumë parti politike ata domosdo duhet të rehatohen pasi në të kundërtën paraqet rrezik kjo pjesë. Nëse një ministri është e stërngarkuar dhe nuk ka arrin t’i trajtojë çështjet e ndryshme ekonomike është e arsyeshme edhe krijimi i ministrisë së re. Mirëpo ne nuk jemi shtet me popullsi të madhe, jemi dy milionë banorë”, tha ai duke shtuar se ende nuk e din se çfarë programi ka kjo qeveri.

E sa i përket zhvillimit ekonomik ai tha se duhet menduar shumë në avancimin e tregut dhe politikave fiskale.

“Pakoja e re fiskale i ka pas 22 masa si dhe duhet të jetë më liberale, po ashtu duhet hequr dogana në përgjithësi, e jo për dikë po, e për dikë jo. Të gjithë prodhuesit dhe konsumuesit duhet të jenë të barabartë në Kosovë. Nëse dikush mendon që pakoja fiskale i favorizon, gabojnë, sepse ajo vetëm i barazon”, theksoi Kelmendi.

Ai tha se “Pakoja Fiskale 2” është një rilindje për sektorin prodhues. “Nuk ka zhvillim ekonomik pa ‘Pakon Fiskale 2’, në Kosovë”, tha ai.

Po ashtu Kelmendi ka thënë në këtë intervistë ka thënë se duhet ndërruar politikat e punësimit të të rinjve në Kosovë si dhe një orientim për shkollim tek të rinjtë.

“Gjatë vizitave të mia që i kam pas në biznese, kam ardhur në përfundim se kemi mungesë të madhe të punëtorëve. Vetëm punëtorë ndihmës të amvisërisë i kemi 20 mijë. Kemi edhe shumë biznese të ndryshme që punëtorët që i paguajnë me rroga minimale, madje nuk janë edhe të regjistruar. Bizneset nuk mund t’i punësojmë gjithë këta juristë që po diplomojnë. Duhet ndryshuar drejtimi i njerëzve dhe shkollimi. Nuk ka vende pune për këtë nivel arsimor por duhet të kalojnë në shkollë profesionale pasi ka nevojë për këtë sferë”, u shpreh ai.

Gjatë intervistës dhënë për Telegrafin, deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi ka thënë se politikat e brendshme të shtetit të Republikës së Kosovës rrezikojnë ardhjen e investitorëve në vend.

Sipas tij, asnjë investitor nuk dëshiron të vij dhe t’i rrezikohet investimi.

“Investimet e mëdha dhe investitorë e mëdhenj e shikojnë bazën politike. E kemi bërë ligjin mbi Investimet Strategjike, që ka qenë plotësisht i pavlerë. Ka qenë një ligj që nga këndi teorik i sheh 1000 investitorë të jashtëm që presin në radhë për investime, por në realitet nuk është asnjë. Ne e kërkojmë investitorin dhe e lusim Zotin që ai mos të vij”, ka thënë Kelmendi.

Ndërsa sa i përket Trepçës, ai tha se kjo më shumë përdorët nga partitë politike për fushata zgjedhore, deri sa thotë se kanë shpëtuar Trepçën. /Telegrafi/

Deputeti Ramiz Kelmendi flet për Qeverinë Haradinaj, ekonominë…

Deputeti Ramiz Kelmendi flet për Qeverinë Haradinaj, ekonominë dhe Demarkacionin me Malin e Zi

Posted by Telegrafi.com on Donnerstag, 14. September 2017