Kelmendi: Nuk bëhet fjalë për ‘fake news’, emaili i OKB-së për komunikim me Qeverinë ekziston

Raportimet se koordinatorja e OKB-së ka kërkuar të mos mbahen kontakte zyrtare me Qeverinë Kurti, ka nxitur reagime.
Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka reaguar ka mohuar raportimet e tilla, duke theksuar se vazhdon bashkëpunimin e fortë me Qeverinë e Kosovës.
“Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) riafirmon bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm dhe të fortë me Qeverinë e Kosovës. Ne mbetemi të përkushtuar fuqishëm ndaj prioriteteve të zhvillimit të Kosovës dhe e vlerësojmë partneritetin tonë afatgjatë me institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.
E pas kësaj ka reaguar sërish gazetari dhe autori i emisionit “Rubikon” në Klan Kosova, Adriatik Kelmendi i cili edhe kishte raportuar për këtë rast.
Kelmendi në një postim në Facebook, ka thënë se e konfirmon se të hënën pasdite, një email nga zyra e OKB-së është dërguar në disa adresa të përfaqësuesve të agjencive përkatëse, në të cilin jepen udhëzime për mënyrën dhe nivelin e komunikimit që duhet të kenë me Qeverinë e Kosovës.
“Si gazetar, e ruaj të drejtën e moszbulimit të burimeve. Kushdo që ka interesim të pyesë në adresat e caktuara se a është dërguar ky email, si dhe ta publikojnë përmbajtjen e tij. Faleminderit!”, ka shkruar Kelmendi.
Ai shtoi se “ps: fake news u tha është edhe rritja e çmimit të rrymës, u pa se si doli. Njëjtë edhe me shumë lajme të tjera.” /Telegrafi/



































