Kejsi provon skenën ruse

Kejsi Tola këndoi dje për herë të parë këngën "Carry Me In Your Dreams", në skenën "Olimpiysky Arena" të Moskës. Ishte prova e parë zyrtare edhe për Slloveninë, Hungarinë, Danimarkën, Greqinë, Moldavinë, Ukrainën, Lituaninë, Estoninë dhe Holandën.
Pas provës ka vijuar konferenca për shtyp, ku sipas faqes elektronike të "Eurovision Song Contest", ka qenë këngëtarja 17-vjeçare ajo që mbajti peshën e gjithë konferencës së realizuar në gjuhën angleze.
E pranishme ka qenë edhe drejtoresha e Radio Tiranës, Zamira Koleci, e cila kryeson delegacionin shqiptar në këtë ngjarje muzikore.
Kejsi ka folur për videoklipin e këngës që është realizuar në Munih dhe ka bërë disa komente për këngëtaret e reja në moshë që kanë përfaqësuar Shqipërinë në "Eurosong", duke shtuar se me njërën prej tyre, Olta Bokën, kishte miqësi.
"Unë nuk kam karrierë të gjatë muzikore, por mendoj që mosha nuk përbën një problem këtu", ka thënë Kejsi para mediave në Moskë.
"Carry Me In Your Dreams" do të këndohet e 16-ta në mbrëmjen e dytë gjysmëfinale, që bëhet në "Olimpiysky Arena".

























































