LAJMI I FUNDIT:

KEDS vendos një megatrafo për fabrikën e ujit në Shkabaj

KEDS vendos një megatrafo për fabrikën e ujit në Shkabaj

KEDS ka vendosur një megatrafo të re prej 8 MVA (Megavolt amperësh) në nënstacionin e Mazgitit, rreth 10 kilometra nga Prishtina.

Ky stabiliment prej 18 mijë kilogramësh është vendosur paraditen e së premtes në bazament për t’i paraprirë fabrikës në ndërtim në Shkabaj, e cila pritet të lëshohet sivjet në punë për ta furnizuar Prishtinën me rrethinë me ujë.


Trafoja është vendosur pas kërkesës së KUR Prishtina për 5 megavatë shtesë dhe KEDS ka reaguar menjëherë.

Ujësjellësi e ka mirëpritur këtë investim, përderisa nuk ka asnjë pengesë për furnizim me energji elektrike për fabrikën e re.

Trafo do të lidhet në linjat 35 kV (kilovolt) dhe do të sigurojë shpërndarjen në standardet më të larta të energjisë elektrike.

Kjo, sepse tashmë kapacitetet në nënstacionin 35/10 kV të Mazgitit janë shtuar në 24 MVA dhe pos fabrikës së ujit, rritet siguria dhe kualiteti i shërbimeve të energjisë elektrike edhe për rrethinat e katër komunave, përkatësisht lokaliteve përreth Mazgitit ku përfshihen fshatrat deri në periferi të Prishtinës, pastaj fshatrat e Obiliqit, Vushtrrisë dhe të Podujevës. Pra, investimi prej afro 100 mijë euro siguron shërbime më kualitative për dhjetëra mijë qytetarë.

Kjo trafo hyn në kuadër të projekteve të KEDS-it për zgjerim dhe përforcim të rrjetit që po bëhen anekënd vendit. Përmes realizimit të këtyre projekteve Rrjeti i Shpërndarjes po përmirësohet çdo ditë e më tepër, dukë bërë që të përfitojnë direkt qytetarët e vendit.

Projektet që po realizohen çdo ditë tregojnë përkushtimin e KEDS-it në praktikë për përmbushjen e premtimeve me rastin e privatizimit dhe vendosmërinë e kompanisë që të jetë përkrah qytetarit dhe të mbështesë me të gjitha forcat aty ku është nevoja, duke u dhënë prioritet të lartë projekteve që përmbushin nevojat jetike, siç është ai i furnizimit me ujë. /Telegrafi/