LAJMI I FUNDIT:

Katër kadetë të FSK-së diplomuan në Akademinë Ushtarake të Shkupit

Katër kadetë të FSK-së diplomuan në Akademinë Ushtarake të Shkupit

Katër kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dy nga komuniteti boshnjak dhe dy nga komuniteti serb, kanë diplomuar në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihaillo Apostolski” në Shkup, duke marrë gradën nëntoger, e të cilët do të sistemohen në njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

E gjithë kjo është bërë e mundur sipas marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe Ministrisë së mbrojtjes së Maqedonisë.


Ibrahim Shala, zëdhënës i Forcës së Sigurisë tha se kjo është një mundësi shumë e mirë për pjesëtaret e minoriteteve të FSK-së dhe një ndihmë e madhe për FSk-në.

Oficeri i FSK-së Lihan Zoraniq nga Peja thotë se është i lumtur për mundësinë që i është dhënë, që të jetë ndër kadetët e parë nga radhët e minoriteteve që diplomon në Akademinë Ushtarake të Shkupit.

Edhe kadeti Millosh Deniq i cili vjen nga radhët e komunitetit serb, thotë se pas katër vitesh në Akademinë Ushtarake, ka arritur që të marrë gradën e nëntogerit dhe se ky është një shans i mirë për të ardhmen e tij.

Ndërkaq Azemina Cullum, drejtoreshë e Zyrës për çështje të minoriteteve në FSK, thotë se ky është një sukses për FSK-në dhe oficerët që sot kanë diplomuar, të cilët njohuritë e tyre do t’i përcjellin tek oficeret tjerë të FSK-së.

E kadetët e FSK-së, të cilët vazhdojnë dhe më tutje të studiojnë në Akademinë ushtarake në Maqedoni, e dhanë betimin e tyre në ambasadën e Kosovës në Maqedoni.

Ambasadori i Kosovës në Shkup Ylber Hysa tha se ndjehet krenar për një akt kaq të rëndësishëm.

Edhe zëvendës ministri i mbrojtjes së Maqedonisë Bekim Maksuti tha se Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë do të vazhdojë dhe në të ardhmen përkrahjen për FSK-në.

Ndryshe, që nga fillimi i vitit akademik 2010/2011, konform planeve të Ministrisë së Mbrojtjes për bashkëpunim me anëtarët e NATO-s dhe shtet e Partneritetit për Paqe, Akademia ka rritur bashkëpunimin regjional duke shkolluar kadetë nga Mali i Zi, tre kadetë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe 4 kadetë nga Kosova. Për më tepër kadetët nga Akademia Ushtarake kanë marrë pjesë nëpër punime, ngjarje sportive e edukative dhe programe shkëmbimi (Turqi, Francë, Itali, Britani dhe Mal të Zi).