LAJMI I FUNDIT:

Kastrati: Protesta e banorëve të Busavatës ka prapavijë politike, nuk tërhiqemi nga vendimi që është i drejtë

Kastrati: Protesta e banorëve të Busavatës ka prapavijë politike, nuk tërhiqemi nga vendimi që është i drejtë

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se protesta e banorëve të fshatit Busavatë të Kamenicës, ka prapavijë politike.

Kastrati në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se i kanë thirr disa herë banorët për t’u konsultuar por që sipas tij nuk kanë shkuar.


“Ne i kemi thirr me grupe por nuk kanë ardhur. Madje i kemi thirr edhe individualisht mirëpo prapë nuk kanë ardhur, ndërsa tani po dalin dhe po thonë se na ka thirr për me na shantazhu, gjë kjo që nuk ka qenë qëllimi ynë. Ata këtë po e bëjnë me prapavijë politike sepse disa liderë politikë edhe para zgjedhjeve iu kanë premtuar që do të rrëzohet ky vendim, por edhe pas zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Kastrati ka thënë se tani vendimi i cili është marrë është në të mirë të nxënësve dhe se nuk do të tërhiqen nga ky vendim.

“Ne nuk tërhiqemi nga ky vendim, sepse është e drejt që duhet të bëhet. Ne çka kemi kërkuar është që në çdo klasë të jenë deri në 20 nxënës. Në fund më mirë është të humben disa muaj, se disa vite dhe të kuptohet që kjo reformë që po bëhet është e drejt”, ka thënë ai.

Ndryshe banorët e Busavatës së Kamenicës, kanë protestuar sot Ministrisë së Arsimit kundër reformës së iniciuar nga kryetari Kastrati për mbylljen e disa shkollave në këtë komunë.

Drejtori i Shkollës “Hasan Prishtina” në fshatin Busavatë të Kamenicës, Abedin Maliqi, tha se do protestojnë kundër reformës së Qëndron Kastratit.

Ai tha se janë të gatshëm për reforma tjera, por jo për ato reforma të cilat qojnë në mbylljen e shkollave.

“Ne vazhdim te protestave të gjera të cilat i kemi bërë në komën e Kamenicës, kanë renë në vesh të shurdhër, prandaj kemi vendos të jemi tek MASHT-it, jemi për t’i thënë jo reformës së Qëndron Kastrati, jemi të gatshëm për reforma por jo për ato që qojnë në mbylljen e shkollave. Ne kemi ardhur t’i mbrojmë këto shkolla që për 70 vite nxorën ekspert të profileve të ndryshme. Kastrati nuk është konsultuar me asnjë nga drejtorët e shkollave për këtë reformë”, ka thënë ai duke shtuar se Kastrati po thirret në emër të ekspertëve dhe se sipas tij nuk e ka pa të arsyeshme të konsultohet me 18 drejtorë të shkollave.

Ndërsa, Fatmir Cakolli, përfaqësues i shkollës  “7 shtatori” në Krilevë, tha se kryetari Kastrati këtë reformë po e përdorë për përfitime e tij.

“Ne kemi ardhë t’i themi jo Qëndron Kastratit për mbylljen e shkollave. Ky njeri për përfitime të veta po i mbyll shkollat në fshatra”, tha Cakolli./Telegrafi/