Kapen në flagrancë gjuetarët ‘e natës’ në Maliq

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, bazuar në planin e masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme të gjuetisë dhe të prerjes së pyjeve, kanë kryer kontrolle në zona të ndryshme në qarkun Korçë.
Gjatë kontrolleve në vendin e quajtur "Burimi i Selcës" Maliq, janë kapur në flagrancë tre shtetas që po kryenin gjueti të paligjshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuam materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. A., (31), banues në Maliq, L. D. (20) dhe M. T. (23), banues në Libonik.
Në vendin e ngjarjes u gjet një kafshë e egër, e vrarë me armë gjahu. Kjo e fundit u sekuestrua së bashku me një sasi municioni luftarak, një elektrik dhe një automjet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme për veprën penale keqtrajtimi i kafshëve./kp/



















































