Kandidati për Ligën Premier shfaq interes konkret për Anis Mehmetin, Bristol City rrezikon ta humbasë

Ipswich Town është i interesuar të nënshkruajë me sulmuesin shqiptar të Bristol City, Anis Mehmeti, para mbylljes së afatit kalimtar.
Kontrata e mesfushorit ofensiv 25-vjeçar skadon në verë dhe Ipswich synon të përfitojë nga kjo situatë për të siguruar shërbimet e reprezentuesit shqiptar, me qëllim forcimin e skuadrës në garën për rikthim në Ligën Premier.
Një transferim i tillë do të dobësonte njëkohësisht edhe një rival direkt në luftën për ngjitje, siç është Bristol, aty ku po shkëlqen Mehmeti.

Nga ana tjetër, Bristol City dëshiron ta mbajë Mehmetin, duke e konsideruar pjesë kyçe të objektivave për “play-off”, dhe tashmë ka nisur bisedimet për rinovimin e kontratës së tij.
Megjithatë, Ipswich është i gatshëm të sfidojë këtë qëndrim dhe të ushtrojë presion për realizimin e transferimit.
Mehmeti iu bashkua Bristol Cityt në janar të vitit 2023 dhe po kalon një sezon mjaft të mirë në Championship. Ai ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 6 asistime në 27 paraqitje këtë edicion, ndërsa numëron edhe 3 paraqitje me Kombëtaren e Shqipërisë.

Sipas “Transfermarkt”, vlera aktuale e tij në treg vlerësohet në rreth 10 milionë euro. /Telegrafi/






















































