LAJMI I FUNDIT:

Kafshët e rrugës, vullnetarë të huaj po sterilizojnë qentë dhe macet në Durrës

Kafshët e rrugës, vullnetarë të huaj po sterilizojnë qentë dhe macet në Durrës

Atë që nuk e bëjnë dot shqiptarët për kafshët e rrugës, kanë ardhur ta bëjnë organizata me vullnetarë të huaj.

Gjenovefa dhe Zamira janë kthyer sërish në Durrës, me misionin për sterilizimin dhe kastrimin e kafshëve endacake, për t’i rikthyer më pas në zonën e tyre apo për t’i adoptuar nga kafshëdashësit.


Këtë herë, boshllëku i krijuar prej mungesës së vullnetarëve vendas ishte edhe më i thellë.

“Duhet të kërkojmë shumë herë për ndihmë deri sa kjo ndihmë të merret seriozisht nga aktivistët shqiptar. Për këtë arsye kemi pasur shumë njohje me turistët të cilët i janë bashkuar këtij misioni dhe kanë ardhur qëllimisht nga Suedia dhe vende të tjera, për të na ndihmuar”- thekson Gjenovefa Hasanaj-Müller

Të njohura me kulturën e kujdesit për kafshët në Shqipëri dhe vende të tjera evropiane, diferenca për to është shumë e madhe.

“Ka një ndryshim shumë të madh. Njerëzit në botë janë shumë të edukuar në lidhje me kafshët. Shqiptarët janë shumë të ngadaltë”, thekson Zamira Kuçi.

Këtë pohon edhe Hana, një vullnetare nga Suedia, që vjen në Shqipëri për herë të dytë për të ndihmuar kafshët e rrugës.

“Ka një ndryshim shumë të madh mes Shqipërisë dhe Suedisë. Ka shumë qen dhe mace rruge këtu. Shpresoj që ju t’i doni kafshët, por duhet të mësoni t’i trajtoni më ndryshe, më mirë”, tha Hana.

Kjo nevojë urgjente tregohet nga rasti më i fundit i regjistruar mbrëmjen e së premtes, kur një grua në Tiranë hodhi nga kati i gjashtë i ballkonit qenin e saj.

“Unë mendoj se ajo nesër mund të vrasë një fëmijë”, nënvizon Zamira Kuçi

Ky rast i rëndë “zgjoi” edhe njëherë tjetër aktivistët për mbrojtjen e kafshëve, të cilët, sipas Gjenovefës, nuk bëjnë shumë për katërputroshët në të përditshmen e tyre.

“Shpresoj shumë që gjëra të tilla të mos ndodhin më. Do doja shumë që aktivistët të mblidheshin për gjëra pozitive”, thekson Gjenovefa Hasanaj-Müller.

Edhe këtë herë, përpjekjet e tyre për të ndryshuar fatin e kafshëve të braktisura, janë të vetmuara dhe larg syve të pushtetit lokal, që duket se e ka hequr nga vetja përgjegjësinë për kujdesin ndaj kafshëve të rrugës. /Telegrafi/