LAJMI I FUNDIT:

Ka filluar seminari për Sistemin Këshillimor Bujqësor

Ka filluar seminari për Sistemin Këshillimor Bujqësor

Është duke u mbajtur seminari për Sistemin Këshillimor Bujqësor në Prishtinë për përkrahje në forcimin e shërbimeve këshillimore të Ministrisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural (MBPZhR)-së dhe përmirësimin e kualitetit të shërbimeve teknike të ofruara nga laboratorët e MBPZhR-së.


Qëllimi i këtij projekti është ofrimi i shërbimeve këshilluese bujqësore dhe trajnime për fermerët kosovar.

Sipas, Halit Hoxhaj nga kabineti i ministrit, formimi i qendrave informuese në komuna do të jetë një prej elementeve më të rëndësishme të këtij shërbimi këshillues në raport me fermerët, madje siç u shpreh ai këto shërbime janë të nevojshme drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Në vorbullën e nevojave dhe kërkesave të shumta që ka pasur sektori në vitet e kaluara rritja e buxhetit, rritja e investimeve ka qenë një interaktiv i domosdoshëm në periudhën e kaluar. Shumë nga këto procese kanë ndodhur dhe janë në proces të ndodhjes por një prej shtyllave shumë të rëndësishme karshi dy komponentëve administrative shumë të rëndësishme brenda ministrisë si autoriteti menaxhues, agjencioni i pagesave janë shërbimet këshillimore në funksion të implementimit të këtij programi për bujqësi dhe zhvillim rural. Në këtë funksion shërbimet këshillimore përpos që janë një standard më se i nevojshëm në rrugën drejt integrimit në BE ato janë nevojë e jona e përditshme në mënyrë që të jemi sa më afër fermerëve dhe t’u shërbejmë sa më shumë atyre”, ka thënë ai.

Ndërsa, Ros Bull, udhëheqës ekipi të projektit të BE-së tha se qëllimi i Departamentit për Shërbime Këshillimore të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është marrja e autobusit të ekstensionit për tërheqje më shpejtësi, përdorimi i tij për të gjeneruar më shumë vlerë, inkurajimi i zhvillimit të bizneseve rurale dhe menaxhimi i procesit të ndryshimit.

“Projekti që po e bëjmë ne po realizohet nga një konsorcium kompanish tri nga të cilat vijnë nga Franca dhe njëra është nga Kosova. Pra kemi një përzierje interesante evropiane dhe njëkohësisht kemi këshilltarë nga pjesët e tjera të Evropës që mund të sjellin pamje të ndryshme mënyrës në të cilën shërbimet bujqësore dhe trajnimet këshilluese mund të përmirësohen dhe mund të krahasohen me vende tjera të Evropës dhe arritjet që kanë pasur ata nga Bullgaria, ka nga Irlanda dhe ka edhe njerëz tjerë që do të jenë nga pjesë të ndryshme të Evropës për të mbështetur ministrinë në këtë projekt”, ka thënë ai.

Tahir Halitaj, shef i divizionit IBMT/DSHTK/MBPZHR, u shpreh se komunikimi i drejtë për drejtë më fermerë është më efektiv dhe për këtë kanë dashur që ti bëjnë disa ndryshime.

Ndryshe, Ligji për Shërbime Këshilluese në Bujqësi dhe Zhvillim Rural është miratuar më 15 shkurt të vitit 2012, kurse strategjia për këtë të fundit është miratuar më 17 gusht 2012. /Telegrafi/