Juventus merr fitore të madhe ndaj Romës

Juventusi ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në shtëpi ndaj Romës në kuadër të javës së 17-të në elitën e futbollit italian.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 44-të, kur Andrea Cambiaso asistoi bukur për Francisco Conceicaon.
Sulmuesi i Juventusit tregoi vendosmëri brenda zonës dhe realizoi saktë në këndin e poshtëm të djathtë për epërsinë 1-0 para pushimit.
Roma kërkoi penallti në minutën e 31-të, pas rrëzimit të Lorenzo Pellegrinit në zonë, por arbitri vazhdoi lojën, duke shkaktuar protesta nga lojtarët verdhekuq.
Në pjesën e dytë, Juventusi e dyfishoi avantazhin në minutën e 70-të. Weston McKennie dha një pasim të saktë për Lois Openda, i cili përfitoi nga dalja e portierit dhe e dërgoi topin në portë të zbrazët për 2-0.
🔥🤳🏻🏟️#JuveRoma [2-0] pic.twitter.com/ku3RMXooJK
— JuventusFC (@juventusfc) December 20, 2025
Roma reagoi dhe arriti të rikthehej në lojë në minutën e 76-të. Pas një topi të kthyer në zonë, Tommaso Baldanzi u gjend në vendin e duhur dhe shënoi nga afërsia, duke ngushtuar rezultatin në 2-1.
Juventusi ishte pranë golit të tretë në minutën e 80-të, kur Kenan Yildiz goditi shtyllën e djathtë pas një goditjeje të fortë nga brenda zonës, duke i mohuar bardhezinjve mbylljen përfundimtare të ndeshjes.
Me këtë fitore Juventusi shkon në kuotën e 29 pikëve dhe mban pozitën e pestë në tabelë, ndërsa Roma renditet e katërta me 30 sosh./Telegrafi/


















































