LAJMI I FUNDIT:

“Juvenilia” e Mjedës, libërthi me 5,000 fjalë!

“Juvenilia” e Mjedës, libërthi me 5,000 fjalë!

Shkodrani Ndre Mjeda (1866-1937), është një nga emrat më të shquar të letrave shqipe. Ka qenë prift, gjuhëtar, poet lirik dhe deputet shqiptar. Antropologu i parë shqiptar, Jakov Milaj (autor i veprës “Raca Shqiptare”), për të ka thënë se është “nji ndër letrarët ma të mëdhaj qi ka qitun Shqipnija”.

Vepra e Mjedës është studiuar nga shumë studiues të njohur shqiptar. Njëri ndër ta ishte edhe shkodrani Kolë Ashta (1920-1998), për të cilin studiuesi Gjovalin Shkurtaj ka thënë: “Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me formim të thellë e vizion të gjerë perëndimor, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta”!


Mjeda më 1917 në Vjenë boton për herë të parë veprën “Juvenilia”, një përmbledhje me poezitë, dhe poemat e shkruara në rininë e tij, siç tregon në një mënyrë edhe titulli. Libri kishte 79 faqe, me këto poezi: “Vaji i bylbylit”, “I tretuni”, “Andrra e jetës”, “I mbetuni”, “Shtegtari”, “Vorri i Skanderbegut”, “Mahmud Pasha në Mal të Zi”, “Mustaf Pasha në Babune”, “Malli për atdhe”, “Giuha shqype”, “Préndvéra”, “Vera”, “Vjeshta”, “Vaji i dallëndyshes”, “Vllavrasi”, “Të vorruemit Sir John Moore”, “Mbreti Tules”, “Dimni”.

Sipas veprës “Rrimari i Mjedës”, studim ky i profesorit Kolë Ashta, “Juvenilia” e Ndre Mjedës – një libërth që lexohet shumë shpejtë – i ka hiç më pak 5,000 fjalë! Ky fakt i veçantë tregon jo vetëm vlerën e Mjedës po edhe pasurinë e gjuhës shqipe, sidomos në raport me sot ku diskursi i komunikimit të përditshëm është reduktuar në qindra fjalë. /Telegrafi/