Justin Bieber ka ndarë me fansat disa imazhe të reja plot momente të ëmbla me gruan e tij, Hailey Bieber, vetëm pak ditë pasi foli për vështirësitë në marrëdhënie në albumin e tij më të ri, SWAG.

Në fotografitë e publikuara të dielën, këngëtari 31-vjeçar dhe modelja 28-vjeçare shfaqen të relaksuar në natyrë, të shtrirë pranë njëri-tjetrit mbi jastëkë e batanije, duke reflektuar afeksion dhe harmoni.


Hailey mbante një këmishë të bardhë me mëngë të gjata dhe xhinse indigo, ndërsa Justin kishte veshur një bluzë të verdhë me kapuç dhe pantallona të shkurta xhinse, shkruan DailyMail.

Një nga fotografitë e afërta tregon Hailey-n me një lule në flokë, e mbështetur tek bashkëshorti i saj, ndërsa ai buzëqeshte i lumtur.

Postimi, i shoqëruar me këngën klasike të Otis Redding “That's How Strong My Love Is”, arriti mbi një milion pëlqime brenda tre orësh, ndërsa Hailey e ndau edhe në Instagram Stories për 55 milionë ndjekësit e saj.

Albumi SWAG, i publikuar më 11 korrik, përfshin tema që lidhen me jetën publike të këngëtarit, sfidat personale dhe përkushtimin ndaj Hailey-t dhe djalit të tyre gati njëvjeçar, Jack Blues.

Disa këngë aludojnë për periudha të vështira mes çiftit, përfshirë mungesën e komunikimit dhe tensionet e përkohshme, por edhe përkushtimin e Justin-it për të “ndryshuar” dhe për të ruajtur lidhjen e tyre.

Në këngë si Daisies dhe Walking Away, ai flet hapur për grindje, teste durimi dhe periudha reflektimi, duke e sjellë muzikën e tij si një pasqyrë të sinqertë të jetës private.

Pavarësisht spekulimeve, imazhet e fundit tregojnë një çift të bashkuar dhe të dashuruar, duke u dhënë një mesazh pozitiv fansave. /Telegrafi/