Tre muaj pasi u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda të trafikimit seksual dhe shantazhit, reperi dhe producenti amerikan Sean “Diddy” Combs u dënua me mbi katër vjet burg nga një gjykatë në Manhattan.

Gjykatësi, Arun Subramanian, e shpalli vendimin të premten, duke theksuar se “veprat e tij dëmtuan në mënyrë të pariparueshme dy gra”.


Në sallën e gjyqit, Diddy, i qetë dhe pa emocione, u kthye nga familja e tij dhe shqiptoi fjalët “Ju dua, më vjen keq”, ndërsa dhjetëra të afërm dhe miq shpërthyen në lot, shkruan BBC.

Reperi 55-vjeçar u shpall fajtor për transportim për qëllime prostitucioni, megjithëse u lirua nga akuzat për trafikim dhe shantazh që mund t’i kishin sjellë burgim të përjetshëm.

Gjatë seancës, avokatët e tij dhe fëmijët e shumtë e përshkruan Combs-in si një “njeri të ndryshuar”, duke kërkuar mëshirë dhe një dënim më të butë.

Por, gjykatësi refuzoi, duke theksuar se “as fama dhe as veprat e mira nuk mund të fshijnë të kaluarën”.

Combs shpërtheu në lot teksa iu drejtua gjykatës për herë të parë, duke pranuar fajin dhe duke i kërkuar falje nënës dhe familjes: “E zhgënjeva si bir”.

Pas shpalljes së dënimit, reperi u përqafua me familjen e tij përpara se të shoqërohej përsëri drejt burgut federal në Brooklyn, një fund i hidhur për një proces që ka tronditur një prej figurave më të njohura të muzikës hip-hop. /Telegrafi/