Përktheu dhe përgatiti: Agron Shala
Amerikani John Cage (1912-1992) – kompozitor, filozof, teoricien e pionier i muzikës elektronike – çmohet si një nga emrat më me vlerë e më me ndikim në muzikën e pasluftës së Dytë Botërore. 4’33” është një prej veprave më të veçanta të tij – vepër që s’e ka asnjë notë të shkruar, gjatë interpretimit të së cilës muzikantët rrinë pa bërë asnjë lëvizje. [1] Si hulumtues dhe eksperimentues i madh, ai kështu ka dashur t’i hulumtojë tingujt e heshtjes si dhe zhurmat e publikut – gjërat që rëndomë nuk dëgjohen në koncerte. Kjo vepër unike ka bërë që nga shumëkush ai të njihet edhe si “autor i heshtjes”. Se sa vizionar ka qenë Cage, dëshmon kjo deklaratë e dhënë më 1937: Besoj se përdorimi i zhurmës për të krijuar muzikë do të vazhdojë të rritet derisa të arrijmë te muzika e krijuar me instrumentet elektronike, që do të jenë të qasshme për nevoja muzikore dhe për çfarëdo tingulli që do ta dëgjojmë.
Intervista e mëposhtme është publikuar më 1970, në numrin e gjashtë të revistës zvicerane Dissonanz. Ajo realizohet në Francë, nga muzikologu Max Nyffeler. Bashkëbisedimi nxitet nga lëvizjet studentore të fundit të viteve ’60 të shekullit XX, meqë nga evropianët Cage perceptohej si artist revolucionar, konceptet artistike të të cilit vlerësoheshin edhe si një mënyrë tjetër për ta ndryshuar shoqërinë. Slogani i tij ishte Qeveria më e mirë është pa qeveri, por me këtë ai nuk e mbështeste traditën anarkike evropiane që nis me Bakuninin, por atë amerikane që karakterizohej nga Thoreau.[2] Cage shpreh optimizëm për përparimin e njeriut dhe për një të ardhme më të mirë, për çka mbështetej tek analizat e Fullerit.[3] Ç’është e vërteta, shumë qëndrime të tij globalizimi i vërtetoi të sakta. Natyrisht, në këtë intervistë flet edhe për muzikën e vet (minimaliste, avangarde dhe eksperimentale), si dhe për dallimet në mes të kulturës amerikane dhe asaj evropiane.
***
Z. Cage, vitet e fundit keni performuar kryesisht me trupën e vallëzimit të Merce Cunninghamit.[4] A po jepni më koncerte?
Po vazhdoj me të dyja. Për shembull, këtë vit kam dhënë koncerte në Mineapolis, në Pensilvani e Floridë. Kam punuar me Merce Cunninghamin që nga viti 1943 dhe kam dhënë koncerte që nga viti 1933. Vazhdoj t’i bëj që të dyja.
Dje thatë se duhet të keni më shumë kohë që të ndihmoni për t’u bërë revolucioni.
Po!
Cila do të ishte metoda juaj për ta arritur këtë? Apo, në çfarë mënyre, si muzikant, synoni të veproni politikisht?
Para së gjithash, muzika mund të konceptohet si një situatë shoqërore. P. sh., duke i marrë tingujt si të mirëqenë, dikush mund ta shohë këtë si situatë shoqërore që i përfshin njerëzit dhe aktivitetet e tyre, e pastaj bëhet shembull i një shoqërie që funksionon pa qeveri.
Cili është mendimi juaj për situatën aktuale politike në Amerikë? A i konsideroni sa duhet të zhvilluara kontradiktat e shoqërisë sonë, për ta prodhuar një revolucion në vitet e ardhshme?
Buckminster Fuller deklaron se viti 1972 do të jetë fundi i periudhës kritike. Mund ta presim një dhunë të madhe – nga tash e deri në fund të vitit 1972. Ai nuk e sheh problemin si një problem amerikan, por më tepër si global, se ne tashmë shohim që ShBA-ja nuk e konsideron veten të kufizuar nga kufijtë që ka. Ajo operon jashtë vetvetes. Herë me qëllime më të këqija e herë me qëllime mjaft të mira. Është një përzierje. Mendoj se është e panevojshme të kesh qëllime të mira ose të këqija. Ajo që na duhet është që t’i qasemi problemit, se si t’i japim secilit person atë që i nevojitet për të jetuar, në mënyrë që bota të ndalet së ndari midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë. Në kohë të tashme, ne po afrohemi te pesëdhjetë me pesëdhjetë, e më 1972 do të jetë 50:50 të kesh e të mos kesh.
Ashtu mendoni?
E dimë këtë.
Por, a nuk po bëhen të pasurit gjithmonë më të pasur e të varfrit…
Jo, jo! Po, për disa nga të pasurit! Por, numri i atyre që kanë atë që po u nevojitet, është rritur nga nëntë për qind në fillim të këtij shekulli në gati 50 për qind në kohën e tashme.
A nuk është kjo shumë optimiste?
Jo, është faktike.
Por, ka statistika për vendet e pazhvilluara, të cilat na e thonë krejt të kundërtën.
Ju duhet ta keni një këndvështrim global. Një nga ndikimet më të mëdha në këtë drejtim, që ju e quani drejtim optimist, është bashkëpunimi ndërkombëtar midis Rusisë dhe ShBA-së.
Në dëm të vendeve të vogla.
Po, por vendet e vogla do të përshtaten shumë shpejt me atë që ka marrë ShBA-ja për shumë kohë dhe Rusia për më pak. Në një mënyrë, ShBA-ja është vendi më i vjetër i shekullit XX, e këtë e kam thënë shumë kohë më parë. Prandaj, i është dashur kohë më e gjatë për ta pasur një avantazh të caktuar material. Për vendet e pazhvilluara do të duhet një kohë shumë më e shkurtër, sepse mund të përfitojnë nga të gjitha gabimet që i kemi bërë. Për shembull: jemi më modernë për një kohë më të gjatë seç janë gjermanët. Rezultati është që sanitaria në ShBA është kryer shumë keq dhe në mënyrë të vjetruar, ndërsa në Gjermani kjo po bëhet në mënyrë shumë moderne. E, në Afrikë ose në Indi do të bëhet shkëlqyeshëm! Ndoshta në mënyrë elektronike! Në vend se mekanikisht.
Por, a nuk mendoni se për sa kohë që shoqëria kapitaliste do të mbijetojë, zhvillimi i vendeve të varfra është i pamundur?
Në kapitalizëm është vetëshkatërrimi i tij. Tashmë këtë po e bën përmes interesit më të madh në kredi sesa në para. Në vitin 1934, në ShBA, na ndodhi që të dalim nga standardi i arit. Gjëja më me rëndësi s’ishte më ari, por kredia. E tash, çka është kredia? Kur ti hulumton apo kur flet me një bankar, zbulon se kredia është besimi te personi tjetër. Është thjesht një pyetje emocionale. E vetmja gjë që të duhet është të kesh besim te njerëzit e tjerë. Një bankar, p. sh., mund t’i japë para një personi shumë të varfër nëse ai ka besim tek ai.
Por, ai nuk ka besim tek ai, sepse është i varfër.
Jo, jo, ka besim! P. sh., sot në ShBA ne marrim karta krediti, madje pa i kërkuar fare ato. Ato vijnë te ju me postë. Dhe, ata fillojnë të të japin ushqim falas në tokë, ashtu siç po bëjnë edhe nga ajri. Kur fluturoni me aeroplanë ata ju japin ushqim sepse supozohet që e keni paguar biletën tuaj. Tashti, në tokë, kur kanë grupe të mëdha njerëzish (Rock’n’Roll e kështu me radhë), nisin t’i ushqejnë ata.
A e shihni ndonjë mundësi për muzikën tuaj, që të ndryshojë diçka, së paku vetëdijen e njerëzve? A nuk do të ishte arti mjeti i duhur për ta krijuar revolucionin që po e flasim, e jo forca fizike?
Nuk mendoj se duhet të presim diçka që të sjellë revolucion. Duhet të përdorim gjithçka e të mos përpiqemi ta gjejmë një rrugë, por të bëjmë gjithçka që mundemi. Për disa njerëz fjalët do të jenë efektive, për disa njerëz edhe dhuna do të jetë efektive, e për disa njerëz muzika do të jetë efektive. Duhet të përdorim gjithçka. Nuk besoj tek aktet e protestës. Nuk mendoj se diçka arrihet me protestë. E, mund ta them këtë me shumë lehtësi, sepse shumë njerëz protestojnë… Por, nuk shoh diçka që po realizohet. Mendoj që në momentet e tij të fundit, de Gaulleit i është dhënë një fillim i ri, me çka u bë më i fortë, thjesht sepse studentët protestuan me kaq shumë dhunë.[5] Por, atëherë, i gjori, a nuk mbaroi? Së paku e humbi pozitën e tij, përfundimisht! Tashti, a s’e keni një qeveri me po aq budallenj sa edhe më parë…? Dhe, secili shtet tash nuk ka fare qeveri. Sapo ishim në Itali dhe mendoj se as aty nuk ka qeveri…
Është fakt se muzika juaj, si i gjithë arti relevant sot, arrin veç te një grup shumë i vogël i popullsisë, kjo për shkak të privilegjit të arsimit të cilin klasa dominuese përpiqet ta mbajë, me të gjitha mjetet, si dhe me tarifa të larta të hyrjes, si këtu në Festivalin St. Paul-de-Vence.
Në vitet 1950, kur e jepja unë ndonjë koncert, atë duhej ta reklamoja. Më së shumti vinin rreth 125 njerëz. Kur e dhashë HPSCHD-në në Ilinois, në vitin e kaluar, erdhën mes 7 000 deri 9 000 njerëz, nga i gjithë vendi, madje edhe nga Evropa.[6] E dhashë Musicircusin në Ilinois, një vit më parë, dhe erdhën 5 000 njerëz, ndërsa koncerti ishte falas.[7] E dhashë atë në Mineapolis këtë vit, dhe 3 000 njerëz të tjerë erdhën, po ashtu falas. Gjërat po ndryshojnë.
Ka njerëz që deklarojnë se ju si “një artist avangard” jeni shakatar i shoqërisë borgjeze. Si i përgjigjeni kësaj?
Situata është ndryshe. Dhe, në ShBA për shumë vite ishte ndryshe nga ajo që është në Evropë. Njerëzit në Evropë, ata të cilët e shqetësojnë veten me artin, në masën më të madhe nuk janë studentë të zënë me studime në Evropë, por më shumë janë njerëz që kanë kohë të lirë për t’iu përkushtuar artit. Prandaj, Evropa konsiderohet si më e kultivuar se ShBA-ja e cila perceptohet nga Evropa se është goxha më larg traditës e kulturës dhe pak më barbare. Epo, ajo që po ndodh në ShBA është kjo: kur e siguroni një punë në shoqëri dhe hyni në strukturën ekonomiko-politike të kapitalizmit, nuk do të keni më kohë për art. Nuk jeni më të interesuar për artin, sepse vetëm disa njerëz janë. Personat që janë të interesuar për artet janë studentët. Prandaj, nëse e bëj një turne në ShBA, shkoj nga universiteti në universitet. Nëse e bëj një turne në Evropë, ku mund të shkoj? Shkoj nga festivali në festival, ose nga një radio në një tjetër radio stacion, ose nga një sallë koncerti në tjetrën. Publiku tashmë po ndryshon, teksa më parë ishte një grup tërësisht i rritur e pa të rinj. Kjo do të thotë se ideja se jam shakatar është një ide evropiane. Por, ideja ime e të qenit i tillë, në një mënyrë është – nëse mund të them – në vetë traditën e jetës intelektuale… Vërtet kështu është nëse aty përfshihen njerëzit si Thoreau, Emerson, poetët tanë etj.[8] Ata formojnë pjesë të jetës universitare shumë më tepër se të jetës së të rriturve në ShBA. Cili është personi mesatar në ShBA kur ai rritet, e ka një punë, siguron jetesën dhe paguan faturat e tij? Mbrëmjet i kalon duke parë televizorin. Televizioni nuk më linte në asnjë program. Prandaj, nuk jam shakatar. Më shumë jam mësues. Do të preferoja të jem mësues-student… Jam student…
A do të thoni diçka për kulturën e njerëzve me ngjyrë, që duket se po emancipohet goxha shumë në qytetet e ShBA-së? Dhe, nëse po, në çfarë mënyre mendoni se mund të mësoni nga kjo?
Epo, kur në aspektin muzikor e fillova interesimin tim për zhurmat, arsyeja ishte sepse zhurmat ishin të lira nga ligjet e harmonisë dhe nga kontrapunktet. Tash, gjëja interesante për njerëzit me ngjyrë është se ata do të jenë të lirë nga ligjet të cilat u bënë nga të bardhët, për t’u mbrojtur nga ta, ndër të tjera, edhe për t’i mbajtur njerëzit me ngjyrë në skllavëri dhe për të qenë njerëzit e bardhë ende të fuqishëm. E tash, nuk do të ishte mirë që njerëzit me ngjyrë të bëhen të fuqishëm, njëjtë si të bardhët e me të njëjtin kuptim, sikur që nuk do të ishte mirë që zhurmat të bëhen harmonike e të përkushtuara ndaj kontrapunktit aq sa tingujt muzikorë. Ne kemi nevojë për më tepër – siç kemi bërë tashmë në muzikë: ta identifikojmë veten me zhurmat dhe të fillojmë nga një situatë pa ato ligjet e të bardhëve ose të tingujve muzikorë. Mendoj se shumë pak njerëz me ngjyrë e kuptojnë këtë. Ata kryesisht po mendojnë se duan të jenë po aq të fuqishëm sa edhe të bardhët. Kjo nuk është mënyra e duhur.
A do ta shpjegonit këtë edhe një herë?
Pushteti nuk është çështja. Kjo ishte çështja në harmoni dhe në kontrapunkt, ku i ke gjërat e mira dhe të këqija e ti i bën rregullat. Kjo është ajo që njerëzit e bardhë ua bënë atyre me ngjyrë: ata i bënë rregulla. Pra, na duhet një situatë në të cilën nuk kemi rregulla, në të cilat gjërat nuk janë më të fuqishme se në gjërat e tjera, por në të cilën secila gjë është ajo që është. Diçka që tashmë e kemi në muzikë.
Në muzikën tuaj.
Epo, në shumicën e muzikës.
Kemi dëgjuar se kohë më parë i keni interpretuar “Variacionet VII”.[9] A mund të na flisni diçka për këtë dhe për performancën e saj?
Është dhënë në Nju-Jork, ndërsa është sponsorizuar nga EAT (Eksperimentet në Art dhe Teknologji). Ndodhi disa vjet më parë, them se më 1967. E di ti se ajri është i mbushur me tingujt që nuk dëgjohen, por që bëhen të dëgjueshëm nëse kemi grupe marrëse. Kështu, ideja e Varicioneve VII është, le të themi të shkosh në peshkim, në një situatë ku ti ndodhesh, e të marrësh pastaj sa më shumë gjëra që janë në ajër.
Në një aspekt, a është e ngjashme me atë pjesën e fluturave nga LaMonte Youngut?[10] Ai ka thënë se fluturat prodhojnë një tingull, megjithëse është i padëgjueshëm për veshin e njeriut. Por, në të vërtetë, është edhe muzikë.
Jo, e imja është më shumë si ajo gjëja e peshkimit, me ato gjërat që janë atje.
E cilët ishin peshqit që kapët?
Epo, kishte radio të zakonshme, kishte detektues Geiger për t’i mbledhur gjërat kozmike, kishte radio për t’i kapur ato që i thoshte policia, kishte linja telefonike të hapura nëpër shumë pjesë të qytetit. Kishte po aq mënyra të ndryshme për të marrë vibracione e për t’i bërë ato të dëgjueshme për aq sa kishim teknika për t’i kapur ato.
I keni kritikuar evropianët se pse nuk ishin në gjendje që ta thyejnë traditën. Në një intervistë të vitit 1961 keni thënë se shpresonit që evropianët do të bëhen më amerikanë. Në këtë aspekt, si e vlerësoni përparimin e bërë gjatë dhjetë vjetëve të fundit?
Mendoj se është shumë i mirë. E vura re këtë herë kur erdha në Evropë, se nuk është më si diçka interesante. Është njësoj sikur të rrija në shtëpi … Njerëzit po bëhen më të vetëdijshëm për problemet e botës sesa për problemet amerikane apo ato evropiane. Ne mund ta bëjmë që tani dallimin midis botës së zhvilluar dhe asaj të pazhvilluar, siç e bëtë tashmë, e unë nuk jam pesimist për këtë. Mendoj se do të kemi akoma shumë probleme me njerëzit, sepse shumë, shumë njerëz janë shumë egoistë. Por, ata do të jenë më pak egoistë kur të gjithë do ta kenë atë që u nevojitet. Kjo do të ishte një gjë interesante për ta zgjidhur, për të parë se çfarë ndodh kur njerëzit kanë atë që u nevojitet. Tashti gjithmonë duhet të kemi frikë se dikush po ju merr diçka që keni. Por, nëse nuk e keni atë, nuk do ta marrësh kurrë etj. Pa dyshim, duket si një problem që duhet zgjidhur. Ju e dini interesimin tim për punën e Buckminster Fullerit. Ai është i shqetësuar për atë që ai e quan si shkencë gjithëpërfshirëse të dizajnit, që duhet t’i zgjidhë problemet e botës, domethënë shpërndarjen e burimeve botërore për të gjithë njerëzit e botës. Është ai tipi që thotë se më 1972 do të arrijmë në pikën 50:50. Dhe, pastaj kurba rritet shpejt në 100 për qind për t’i pasur ato që nevojiten. Mendoj se ai, mbase, është qenia më e dobishme njerëzore që jeton sot.
Cili është mendimi juaj për muzikën bashkëkohore evropiane?
Problemi është se nuk e di mirë se çfarë është duke ndodhur tani në Evropë. Rrethanat e mia më mbajnë të zënë, kështu që kam shumë pak kohë për të dëgjuar ndonjë gjë. Më parë, kur njerëzit nuk ishin të interesuar për atë që i bëja, kisha shumë kohë. Tani kam shumë pak kohë… Kjo është marrëzi…
Janë dy burra të famshëm për të cilët njerëzit flasin shumë shpesh më 1970: Beethoveni dhe Nixoni.[11] A jeni dakord me mendimin se që të dy kanë bërë shumë për kulturën tonë?
Epo, herë pas here dhe për një kohë të gjatë isha kundër Beethovenit, por sa herë dëgjoj diçka nga ai, zbuloj se ai në të vërtetë ishte kompozitor shumë interesant. Hera e fundit që më preku ky fakt ishte kur dëgjova “Bagatelles”-in të luajtur nga Sultania në Nju-Jork.[12] Por, Nixoni nuk ka bërë diçka që të më duket si interesante.
Faleminderit z. Cage!
/Revista “Akademia”/Telegrafi/
__________________
[1] Vepër e vitit 1952, e ndarë në tri pjesë, secila me këtë kohëzgjatje: 33 sekonda, dy minuta e 40 sekonda, dhe një minutë e 20 sekonda. Ndryshe njihet si vepra “Katër minuta e tridhjetetre sekonda heshtje”.
[2] Mikhail Bakunin (1814-1876), revolucionar i njohur socialist rus, themelues i Anarkizmit Kolektiv. Për të, pasioni për shkatërrim është pasion për krijim. Henry David Thoreau (1817-1862), poet dhe filozof amerikan, i njohur për esenë Mosbindja civile, ku thotë se individët nuk do të jenë agjentë të qeverisë për padrejtësi përderisa ata nuk i lejojnë qeveritë ta shfuqizojnë ndërgjegjen e tyre.
[3] Buckminster Fuller (1895-1983), arkitekt dhe zbulues që e krijoi termin Anija Kozmike Tokë, ku kërkon nga secili të veprojë për një të mirë më të madhe.
[4] Mercier Philip “Merce” Cunningham (19192009), valltar dhe koreograf i njohur amerikan. Ishte partner i John Cageit.
[5] Charles de Gaulle (1980-1970), ushtarak dhe politikan francez që udhëhoqi çlirimin e Francës nga forcat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte themelues i Republikës së Pestë dhe president i Francës deri me dorëheqjen e tij më 1969. Maji i vitit 1968, me protestat studentore dhe trazirat në tërë Francën, paraqesin çastet më të vështira të karrierës së tij, për çka ai detyrohet të ikë fshehtas drejt Gjermanisë.
[6] HPSCHD, kompozim për harpsikord nga John Caget, i performuar për herë të parë më 1969, ku përfshihen tingujt e gjeneruar nga kompjuteri.
[7] Musicircus (1967), vepër eksperimentale e John Cageit me shumë e shumë performues, rezultat i së cilës ishte mbivendosja masive e muzikave.
[8] Ralph Waldo Emerson (1803-1882), poet dhe filozof amerikan.
[9] “Variacionet VII”, vepër bashkëkohore e shkruar nga John Cage.
[10] La Monte Thornton Young (1935), kompozitor minimalist amerikan, si dhe John Cage. Vepra e tij, “Kompozicioni 1960”, në një pjesë përfshinte lëshimin e fluturës në dhomën e ekzekutimit.
[11] Ludwig van Beethoven (1770-1827), kompozitor gjerman, një nga më të mëdhenjtë e muzikës klasike. Richard Nixon (1913-1995), president amerikan në vitet 1969-1974.
[12] “Bagatelles”, vepër për piano e kompozuar nga Beethoveni më 1825. Grete Sultan (1906-2005), pianiste e njohur hebraike.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
Gjigantët brazilian kanë konfirmuar interesimin për Sergio Ramos – ndërsa raportimet për Real Madridin vazhdojnë