Joe Biden i nënshtrohet radioterapisë për kancerin e prostatës

Ish-presidenti amerikan Joe Biden po kalon një fazë të re trajtimi pasi zbuloi në maj se vuan nga një formë agresive e kancerit të prostatës.
Zëdhënësi i tij tha se ai tani po i nënshtrohet radioterapisë dhe trajtimit hormonal "si pjesë e një plani trajtimi".
Biden më parë tha se kanceri kishte "një rezultat Gleason prej 9 (Grupi i Gradës 5) me metastazë në kockë" (që do të thotë se ishte përhapur nga prostata).
Trajtimi me rrezatim pritet të zgjasë pesë javë dhe shënon një fazë të re në kujdesin e tij.
Ai tashmë ka marrë një formë pilule të ilaçeve hormonale.
Bëhet e ditur se Biden, i cili mbush 83 vjeç muajin tjetër, "është mirë".
Muajin e kaluar, Biden iu nënshtrua gjithashtu një trajtimi për kancerin e lëkurës të njohur si kirurgjia Mohs.
Një fashë e madhe në ballin e tij ishte e dukshme në paraqitjet publike në atë kohë.
Duke zbuluar gjendjen e tij në fillim të këtij viti, ish-presidenti tha se u diagnostikua pasi u vizitua te një mjek për simptoma urinare.
Një deklaratë tha se ai kishte një "formë më agresive të sëmundjes", por që dukej të ishte "e ndjeshme ndaj hormoneve”.
Sipas Cancer Research UK, një rezultat Gleason prej 9 do të thotë që qelizat kancerogjene "duken shumë anormale" dhe sëmundja "ka të ngjarë të rritet shpejt".
Ndryshe, kanceri i prostatës është shumë i zakonshëm tek burrat e moshës së Biden, por shumë prej tyre kanë një formë me rrezik të ulët që kërkon vetëm monitorim. /Telegrafi/

















































