Jeton Beqiri: Krenar për ekipin, me pak fat do të ishim në Ligën e Evropës

Pas ndeshjes dramatike në Razgrad, ku Shkëndija u eliminua nga Ludogoretsi me rezultat 4-1 pas kohës shtesë, trajneri i kuqezinjve Jeton Beqiri nuk e fshehu zhgënjimin, njofton Telegrafi.
Trajneri i kuqezinjve theksoi se kjo skuadër ka treguar karakter dhe forcë përballë një kundërshtari me shumë përvojë evropiane.
“Ishim shumë afër kualifikimit. Nëse do të kishim shfrytëzuar rastin 100% që patëm në fund, sot do të flisnim ndryshe. Normalisht që jam i dëshpëruar me eliminimin, por njëkohësisht krenar për lojtarët që luftuan deri në minutën e fundit. U përballëm me një klub të madh, që ka vite me radhë eksperiencë dhe vazhdimisht luan në garat evropiane. Me pak fat dhe kujdes shtesë, mund të kishim arritur fazën e grupeve në Ligën e Evropës. Por futbolli është i tillë, duhet të pranosh rezultatin, t’i urosh kundërshtarit kualifikimin dhe të mësosh nga këto ndeshje”, deklaroi trajneri.
Ai shtoi se krenaria e këtij rrugëtimi mbetet e madhe.
“Faleminderit tifozëve që na mbështetën në çdo moment. Besoj se i kemi bërë krenar. Ne tani e kemi të garantuar pjesëmarrjen historike në grupet e Ligës së Konferencës, që është një arritje e madhe për klubin. Përveç Evropës, do ta rikthejmë fokusin edhe te kampionati vendor për të vazhduar rrugëtimin tonë,” përfundoi Beqiri
Ndërkohë, për shkak të angazhimeve evropiane, ndeshja e radhës kundër Rabotniçkit do të zhvillohet në një datë tjetër, duke i dhënë ekipit një pauzë të shkurtër para vazhdimit të sfidave vendore dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/




















































