Jep volum, duket luksoze: Frizura që duket perfekte edhe pa stilizim

Frizura që s’ka nevojë për tharëse apo xhel
Një frizurë e re ka pushtuar rrjetet sociale dhe po cilësohet si trendi më i fortë i vitit 2026 në botën e bukurisë. Ajo vjen si vazhdim i natyrshëm i bob-it që dominoi vitin e kaluar, por këtë herë në një version më të butë, më elegant dhe dukshëm më praktik.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturin bob italian, një kombinim i suksesshëm mes bob-it britanik me maja të thyer dhe prerje të shkurtër, të frymëzuar nga eleganca klasike, dhe bob-it francez, më i çrregullt e i relaksuar, me gjatësi deri te mollëzat e fytyrës.
Në thelb, kjo prerje ka maja natyrale dhe të copëzuara, është mjaftueshëm e gjatë për t’u lidhur në bisht, por edhe mjaftueshëm e shkurtër për të tërhequr vëmendjen. Shtresat janë minimale dhe shumë subtile, ndërsa majat më të plota i japin flokut peshë vizuale, duke e bërë të duket më i dendur dhe me më shumë volum, edhe pa përdorimin e produkteve stilizuese, transmeton Telegrafi.
Një nga arsyet kryesore pse bob-i italian po pëlqehet kaq shumë është fakti se i përshtatet pothuajse të gjithëve, pavarësisht teksturës së flokut, moshës apo volumit natyral.
Popullaritetin e kësaj frizure e kanë rritur edhe figura të njohura të modës, si Kaia Gerber, e cila ka lënë pas frizurat më rebele për një pamje më të butë dhe glamuroze, me flokë të shëndetshëm dhe të prerë me precizitet.
Sekreti i bukurisë së bob-it italian qëndron te thjeshtësia. Nuk ka nevojë për stilizim të tepruar, forma e prerjes flet vetë. Flokët mund të thahen natyrshëm dhe të lihen të bien lirshëm, duke ndjekur drejtimin e tyre natyral. Pikërisht kjo e bën këtë frizurë kaq tërheqëse: është elegante, moderne, e gjithanshme dhe pa stres, ideale për ritmin e përditshëm të jetës.
/Telegrafi/


































