Policia e Shtetit ka bërë të ditur se qytetarëve u janë dërguar mesazhe elektronike të rreme me përmbajtje kërcënuese, duke i njoftuar se janë në hetim për krime kibernetike ose vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe duke iu kërkuar që të paraqiten brenda 24 orëve, në polici.

Policia e Shtetit thekson se email-et janë false dhe nuk kanë asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me ndonjë strukturë zyrtare të saj.


“Informojmë qytetarët se së fundi, janë konstatuar disa raste të shtetasve të paidentifikuar që kanë krijuar adresë elektronike të rremë (email), me kredenciale të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dhe nëpërmjet saj, janë prezantuar si struktura për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

Me këtë adrese, qytetarëve iu janë dërguar mesazhe elektronike me përmbajtje kërcënuese, duke i njoftuar se janë në hetim për krime kibernetike ose vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe duke iu kërkuar që të paraqiten brenda 24 orëve, në polici”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit thekson se qytetarët duhet të kenë parasysh se Policia nuk dërgon kurrë njoftime zyrtare për hetime nëpërmjet emailit.

“Asnjë strukturë policore nuk kërkon që qytetarët të paraqiten në polici, pa një thirrje zyrtare të firmosur dhe të protokolluar. Qëllimi i këtyre mesazheve është mashtrimi dhe përhapja e frikës tek qytetarët”, thuhet tutje.

Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve që të mos iu përgjigjen dhe të mos shpërndajnë emaile me përmbajte të tillë.

Gjithashtu, bëhet e ditur se rasti është në hetim nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Ndryshe, një ditë më parë edhe Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik për qarkullimin e disa e-mailave të rreme që pretendojnë të jenë dërguar nga zyrtarë të lartë të PK-së dhe organizata ndërkombëtare si FBI apo INTERPOL.

Në këto mesazhe, qytetarëve u kërkohet të paraqiten brenda 24 orësh në selinë e policisë, duke u kërcënuar me veprime të menjëhershme, por Policia e Kosovës sqaron se këto dokumente nuk janë të zyrtarizuara dhe janë të falsifikuara. /Telegrafi/