Gjenerata e re e SUV-it të njohur u prezantua zyrtarisht para lansimit që pritet të ndodhë më vonë gjatë këtij viti, duke sjellë një dizajn më katror dhe më agresiv, si dhe teknologji moderne hibride.

Megjithë spekulimet e vazhdueshme se Jeep mund të heqë dorë nga emri “Cherokee”, kompania ka konfirmuar se do ta mbajë emrin e njohur, duke i dhënë fund debatit disa-vjeçar, përcjell Telegrafi.


Modeli i ri merr frymëzim nga Jeep Recon 4xe elektrik, duke zëvendësuar linjat e modelit të vitit 2023 me një stil më të drejtë dhe tradicional, karakteristik për markën Jeep.

Brenda kabinës, Cherokee i ri vjen me një panel modern, një ekran digjital për instrumentet, ekran qendror të pozicionuar në kënd dhe komanda praktike për kontrollin e klimës — të ngjashme me ato të modelit elektrik Wagoneer S.

Automjeti do të mbështetet në platformën STLA Large të Stellantis, që mundëson konfigurime të ndryshme motorike.

Fillimisht do të lansohet me një motor hibrid të ri, ndërsa pritet të vijojnë versionet me motor të zakonshëm me djegie të brendshme si dhe variantet plotësisht elektrike.

Drejtori ekzekutiv i Jeep, Bob Broderdorf, theksoi se Cherokee i ri do të ofrojë “më shumë produkt, inovacion dhe zgjedhje për klientët,” ndërsa do të ketë çmim konkurrues.

I pozicionuar mes modeleve Jeep Compass dhe Grand Cherokee, ky model synon të forcojë prezencën e markës në segmentin më të kërkuar të tregut të SUV-ëve.

Prodhimi pritet të nisë këtë vjeshtë, ndërsa më shumë detaje rreth specifikimeve dhe versioneve do të zbulohen në muajt në vijim. /Telegrafi/