JD Vance, një këshillë për ty: Grenlanda nuk shqetësohet për egon tënde të brishtë njerëzore

Nga: Sarah Ditum / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Në gusht të vitit 2018, bëra diçka që JD Vance dhe bashkëshortja e tij, Usha, mund vetëm ta ëndërrojnë: shkova në Grenlandë dhe nuk shkaktova një skandal kombëtar për shkak të pranisë sime aty. Ishte e lehtë pjesa që lidhej me mos shkaktimin e një skandali kombëtar. Mjaftonte të paraqitesha dhe të mos isha agjente e maskuar e ekspansionizmit trumpian, duke u shtirur sikur më interesonin garat me saja qensh.
Pjesa tjetër - pse shkoja në Grenlandë, në radhë të parë - është më e vështirë për t’u shpjeguar. Nuk jam eksploruese, marinare apo shkencëtare e klimës. Nuk i përkas asnjërit prej atyre pak profesioneve që japin arsye të vlefshme për të vizituar Rrethin Arktik. Isha atje, në mënyrë të pashpjegueshme, si një gazetare kulture.
Në vitin 2014, një shkrimtare 24-vjeçare grenlandeze, me emrin Niviaq Korneliussen, botoi romanin e saj të parë të shkruar në gjuhën grenlandeze, jo në danishten dominuese. (Grenlanda është vend vetëqeverisës sa i përket politikave të brendshme, por që prej shekullit XVIII mbetet territor danez.) Katër vite më vonë, romani u përkthye në anglisht me titullin Crimson dhe u bë një bestseller. Më kishin dërguar për të bërë profilin e yllit të papritur letrar.
Disa ditë pasi redaktori më dërgoi letrën për detyrën, një makinë mbërriti në mes të natës për të më çuar në Aeroportin Hithrou. Isha në gjysmë të rrugës kur kuptova se palltoja ime kundër motit të keq ishte ende e varur, gjoja në një vend të pamundur për t’u harruar, pranë derës sime të përparme të shtëpisë. Zbrita në Nuk, në kryeqytetin e Grenlandës, pa asgjë tjetër përveç një trikoje të trashë për të më mbrojtur nga kushtet atmosferike.
Përgatitja ime ishte e mangët edhe në mënyra të tjera. Kisha kontaktuar Korneliussen para udhëtimit, por kisha ndërmend ta telefonoja për të konfirmuar takimin kur të mbërrija. Mirëpo, Grenlanda nuk mbulohet nga marrëveshjet e romingut të BE-së, ndaj telefoni im nuk funksiononte. S’kishte problem: mund të përdorja valët e internetit të hotelit, për të dërguar mesazhin.
Por, hoteli - në fakt një konvikt për detarë - nuk kishte vendosur fjalëkalim për rrjetin e vet. Kur mbërrita, një anije e madhe turistike ndodhej në portin aty pranë, duke përthithur gjithë valët. Teksa qëndroja në recepsion, pothuajse në lot për shkak të kësaj katastrofe profesionale, një marinar kaloi aty pranë dhe më përshëndeti me një “Tung, angleze” - me plot hare. S’jam ndier kurrë më e huaj në jetën time.
Ajo që është vërtet e mrekullueshme, është se arrita të shkoja në Grenlandë në një mënyrë kaq kaotike dhe nuk vdiqa nga ekspozimi ndaj të ftohtit. Prej mijëra vitesh, ky ishull i mbuluar nga akulli i ka joshur udhëtarët drejt skajeve të saj të pakta të banueshme - dhe më pas i ka dëbuar. Banorët më të hershëm që njihen ishin nordikët - gjuetarë të rosave që shkëmbenin fildishin me anijet që vinin dhe bënë një jetë të vështirë nga një copë e vogël e punueshme toke në Grenlandë.
Diku nga shekulli XV, grenlandezët nordikë u zhdukën dhe asgjë në të dhënat historike nuk mund të thotë nëse ishte uria, sëmundja apo izolimi i ftohtë ai që i zhduku ata. Zhdukja e tyre, shkruan gazetari Jon Gertner në librin e tij të shkëlqyer The Ice at the End of the World, “mbetet një nga misteret më të mëdha në historinë evropiane”.
Paraardhësit inuitë të shumicës së sotme të grenlandezëve mbërritën vetëm rreth 800 vjet më parë dhe ende kanë një qëndrim të kujdesshëm dhe mosbesues ndaj vendit. Në tregimet e tyre popullore, kapakët e akullit përshkruheshin si vende me krijesa të çuditshme dhe tmerr të panjohur. Pak nga evropianët që e vizituan vendin, priren të binin dakord me këtë ide. Hans Egede, një misionar danez i shekullit XVIII, deklaroi se qendra e Grenlandës nuk kishte “asnjë dobi për njerëzimin”.
Megjithatë, disa burra deshën ta ndryshonin këtë. Në fund të shekullit XIX, dy eksplorues shpallën pretendimet e tyre ndaj këtij peizazhi të çuditshëm dhe armiqësor. I pari, danezi Fridtjof Nansen, e përshkoi ishullin nga Perëndimi në Lindje, duke përballuar temperaturat e ashpra dhe çarjet e frikshme të akullnajave për të përfunduar një udhëtim prej 260 miljesh në këmbë dhe me ski. Për këtë iu deshën 11 javë.
Kjo e shtyu amerikanin Robert Peary të bëjë garë. Ai ndërmori një rrugë edhe më të gjatë dhe më të frikshme, duke përshkuar pjesën veriore të Grenlandës. Ishte një sfidë e rëndë fizike, por ndoshta edhe më shumë mendore - i rrethuar vetëm nga bardhësia verbuese dhe dielli i pafund i verës arktike. “Në akull”, shkroi Peary, “na pushtonte makthi i zbrazëtisë”.
Në atë pjesë të historisë nuk ishte ende e qartë nëse Grenlanda do të mbetej daneze apo do të bëhej amerikane, por danezët e shprehën pretendimin të parët, duke vendosur poste tregtare në fillim të shekullit XX. Që atëherë, teknologjia - dhe ndryshimet klimatike - e kanë bërë Grenlandën gjithnjë e më të qasshme.
Nuk është më e nevojshme më t’i afroheni bregut me anije, duke shmangur ajsbergët: tani mund të shkoni me aeroplan. Dhe, kur mbërrini dhe e gjeni veten të veshur gabimisht, për kushtet e vendit, nuk është nevoja t’u kërkoni vendasve që t’ju bëjnë rroba nga lëkura e drerëve, që punohen me shumë mund, siç kishte bërë Peary.
Në vend të kësaj, shkoni në qendrën tregtare të Nukut për të blerë një xhaketë të re - siç bëra unë. Ishte shumë e shtrenjtë (çmime ishulli), por gjithsesi më mirë se shikimi plot keqardhje që më dha Korneliussen kur më në fund u takuam dhe ajo pa që isha e veshur me triko. Gjithsesi, nuk isha në rrezik për hipotermi: temperatura gjatë qëndrimit tim ishte verë e ngrohtë prej 10 gradë Celsius.
Megjithatë, mos mendoni se Grenlanda është bërë e butë. Nuku është sa një qytet i vogël tregtar, dhe natyra e egër të rrethon menjëherë sapo del nga kufijtë e tij. Shkëmbinj të zinj vullkanikë ngrihen nga bari i cekët. Nuk ka rrugë që lidhin vendbanimet grenlandeze - terreni është tepër i dhëmbëzuar.
Moti ndryshoi ditën që po kthehesha në shtëpi. Ishte në pikëpyetje nëse fluturimi im lidhës për në Islandë do të mund të nisej: besoj se ishte fluturimi i fundit që u largua nga Grenlanda për 48 orët në vijim. Rrija ulur në aeroport, duke përqafuar me xhaketën time të re, e habitur nga fakti se sa e papërgatitur isha për të mbijetuar në një vend kaq të pashpirt ndaj planeve të mia.
Mësimi që familja Vance duhet të nxjerrë nga ekspedita e tyre e dështuar është se Grenlanda nuk shqetësohet për ambiciet dhe dëshirat njerëzore. Përpjekja e Donald Trumpit për ta marrë nën kontroll është vetëm një episod tjetër në historinë e saj të debatueshme. Por, edhe sot, nuk mund të zbresësh thjesht në ishull dhe ta marrësh. Deri tani, vetë grenlandezët e kanë bërë shumë të qartë se nuk do ta mirëpresin këtë brez të ri aventurierësh amerikanë. /Telegrafi/


















































