Jam 23 vjeç dhe beqare - pse ka kaq shumë djem që kërkojnë gra të moshës së nënës sime?

Nga: Esme Gordon-Craig / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Javën e kaluar isha në një festë duke biseduar me një djalë për të cilin isha shumë e fiksuar. Teksa biseda jonë kalonte nga një temë në tjetrën, ai tha pikërisht atë gjënë që nuk do të doje kurrë ta dëgjoje nga dikush me të cilin përpiqesh të flirtosh: “Mami yt është shumë seksi”!
Duke shpresuar se mund të gjeja një mënyrë për të dalë nga ky qorrsokak, i ofrova edhe një pije tjetër, duke bërë një koment për cilësinë e verës së ngrohtë që po pija me hezitim. Por, jo - tema e nënës sime 52-vjeçare dhe, po, pamjes së saj padyshim tërheqëse, vazhdoi të zgjatej në një mënyrë aq të dhimbshme saqë nuk më mbeti ndonjë zgjidhje tjetër veçse ta lija dhe të braktisja çdo shpresë që ky djalë do të bëhej ndonjëherë dashuria e jetës sime.
Kjo nuk është një gjë e rrallë - për fat të keq ndodh shpeshherë. Asnjëherë ndonjë nga shokët e mi nuk e ka takuar nënën time pa bërë të paktën një nga këto tri komente: “Mami yt është shumë seksi”, “Babi yt është fatlum” dhe “A je e adoptuar”?
Më thonë se kur njerëzit komentojnë për pamjen e prindërve të tu, kjo është një mënyrë për të të komplimentuar ty - në fund të fundit, ti je thjesht produkt i gjeneve të tyre. Me kalimin e kohës, kam mësuar të dalloj një bisedë të sjellshme dhe një moment të tipit “Nëna e Stejsit” [këngë].
Kur bëhet fjalë për normat e takimeve, nuk është më përjashtim dobësia e shokëve të mi për gratë në moshë të mesme. Një shoqe 25-vjeçare më tha se djali me të cilin po dilte (që ishte tri vjet më i ri se ajo) e kishte lënë për dikë që ishte në fund të të tridhjetave - “Më refuzoi për një milf”, më tha ajo.
Nuk është mosha në vetvete ajo që të tmerron - është fakti që takimet janë mjaft të vështira edhe pa pasur tani përballë një grup grash shumë më të pjekura dhe të sigurta në aspektin romantik sesa ne.
Dhe, nuk janë vetëm “seksbombat” në moshë të mesme ato që po pushtojnë tregun tonë të takimeve: duke folur në Broadcasting House në Radio 4, të dielën në mëngjes, aktorja veterane Sheila Hancock shpjegoi se, në moshën 92-vjeçare, ajo nuk do të martohet për herë të tretë, sepse “dua vetëm djem 18-vjeçarë, dhe ata nuk do të jenë të interesuar”. Mos u dorëzo, zonja Sheila!
Kur e pyeta një shok çfarë kanë gratë më të vjetra që i bën të jenë aq tërheqëse, e vetmja përgjigja që mora ishte “sepse janë seksi” - e kjo gjithmonë është ana e keqe me admiruesit e rinj: mos prit biseda vezulluese.
Edhe pse mbeta pa kuptuar psikikën e mashkullit kur bëhet fjalë për takime përtej brezave, jam shumë më e emocionuar për të arritur të dyzetat e mia. Kemi disa çifte me diferencë në moshë për të marrë si shembull: Nick Jonas dhe Priyanka Chopra e cila është një dekadë më e madhe se ai; aktori Aaron Taylor-Johnson ishte rreth moshës sime kur u martua me regjisoren Sam Taylor-Johnson e cila është 23 vjet më e madhe se ai. (Mos i përmendni Macronët ...)
Në ditët e sotme, zhvillimet në industrinë e mirëqenies dhe të bukurisë nënkuptojnë se rinia nuk ka pse të shuhet me moshën - ose të paktën jo aq shpejt. Qoftë me ndërhyrje kirurgjikale, qoftë nga natyra apo ndryshime të stilit të jetës, stafetën e bukurisë mund ta mbajnë edhe gjenerata Bumer edhe gjenerata X. Meqenëse gratë po plaken me hijeshi, djemtë e rinj mund të shohin të gjitha përfitimet e një partnereje në moshë të mesme dhe asnjë rrudhë.
Pra, ku më lë kjo mua? Në një botë ku tregu i takimeve është aq i ngushtë, mendoja se të paktën rinia ishte në anën time. Doli se edhe kjo tani është një pengesë. A të vazhdoj të kërkoj duke ditur se ndoshta pas një dekade do të kem më shumë fat? Apo ndoshta ajo që kërkohet është një ndryshim i plotë taktik. Nëse gratë më të vjetra po marrin burrat e brezit tim, a duhet unë të marr ata të brezit të tyre? /Telegrafi/



















































