Jakup Vitia: “Handicap Kosova”, mbështetje dhe shpresë për personat me aftësi të kufizuara

Fati mund të sjellë pengesa, por vullneti dhe këmbëngulja shpesh i kapërcejnë ato
Jeta e një personi me aftësi të kufizuara është unike dhe e ndikuar nga faktorë të ndryshëm si lloji i aftësisë së kufizuar, mbështetja sociale, mundësitë ekonomike dhe qëndrimet e shoqërisë. Për disa, jeta mund të jetë e mbushur me sfida, por edhe me suksese, fuqizim dhe përmbushje personale.
Në një shoqëri që synon gjithëpërfshirjen dhe barazinë, roli i organizatave që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara është thelbësor dhe kyç në rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes. Përkushtimi i tyre është i pazëvendësueshëm dhe thelbësor për të siguruar një shoqëri të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
Përveç ofrimit të mbështetjes praktike, këto organizata shpesh janë udhëheqëse në forcimin e ligjeve dhe politikave që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, duke e bërë shoqërinë më gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme. Ato janë edhe një burim i rëndësishëm i edukatës dhe trajtimit për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi më të mirë dhe më të mbështetur.
Për të kuptuar më shumë rreth sfidave, përparimeve dhe vizionit për të ardhmen, biseduam me drejtorin Shoqatës “Handicap Kosova” për Fëmijët me Paralizë. Z. Jakup Vitija. Të ndihmosh dhe të jesh i kujdesshëm ndaj të tjerëve është diçka që gjithmonë është kthyer në një energji pozitive në jetën e tij.
Në këtë intervistë, ai na flet për punën e shoqatës, barrierat më të mëdha për integrimin e plotë, projektet kryesore dhe rëndësinë e mbështetjes institucionale e shoqërore në përmirësimin e jetës së kësaj kategorie qytetarësh…
Z. Vitia, a mund të na tregoni më shumë për shoqatën, sa ka ndryshuar roli i saj gjatë viteve dhe cilat janë arritjet më të mëdha deri tani?
Shoqata për Fëmijët me Paralizë është themeluar menjëherë pas luftës; themelues ishin Argjend Nela, Gëzim Abazi, ndër ta dhe unë si dhe shumë aktivist të tjerë vullnetar.
Qëllimi kryesor ka qenë që t’i dalim në ndihmë kësaj kategorie të diskriminuar nga familja dhe shoqëria. Ne punojmë për të rritur ndërgjegjësimin, për të siguruar mbështetje sociale dhe mjekësore, si dhe për të promovuar përfshirjen e plotë të tyre në shoqëri.
“Handicap Kosova” ka arritur të rris ndjeshmërinë, ka ndikuar në politika publike për të përmirësuar qasjen e personave me aftësi të kufizuara në arsim dhe shëndetësi. Gjithashtu, ka organizuar fushata ndërgjegjësimi, ka krijuar programe rehabilitimi, ka siguruar ndihma për shumë familje në nevojë dhe ka zhvilluar partneritete me institucione të tjera.
Si shkak i paragjykimeve, në fillim ka qenë shumë vështirë t’i thyenim barrierat në mënyrë që shoqata të vazhdojë iniciativën e saj. Kishte raste kur familja e ka mbajt të fshehur që një pjesëtar i familjes ka qenë me aftësi të kufizuar për arsyeje patriarkale, pasi që e kanë pa si të ‘ndaluar’ martesën në një familje ku njëri anëtar i përket kësaj kategorie. Për këtë arsye ka qenë shumë e vështirë edhe për ne deri sa kemi arrit t’i bindim familjet me raste të tilla, mirëpo me vizita të shpeshta kemi evituar këtë problem dhe gjithashtu kemi kyçur personat me aftësi të kufizuar në shkolla, çerdhe si dhe në shumë aktivitete kulturore dhe sportive.
Për dallim nga vitet e kaluara tani kemi arrit edhe një numër të madh që t’i punësojmë në sektorin privat dhe shtetëror, këtë mund ta konsideroj si një arritje shumë të madhe, sepse përfshirja e tyre në shoqëri i bën ata të mos ndihen të diskriminuar, por të kenë një vend ku mund të japin kontributin e tyre.
Këto arritje kanë kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Cili është roli juaj dhe çfarë ju motivoi personalisht të merrni rolin e kryetarit?
Motivimi im vjen nga përvoja personale dhe dëshira për të parë ndryshim. Kam qenë dëshmitar i sfidave me të cilat përballen familjet dhe individët me aftësi të kufizuara dhe kam dashur të kontribuoj në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.
Kur kam filluar të angazhohem pranë OJQ-së kam pas kontakte të rregullta me të ndjerin z.Halit Ferizi, i cili poashtu ka qenë me aftësi të kufizuar, mirëpo vullneti i tij më ka motivuar më së shumti që ta marrë rolin e kryetarit. Ndihma që ai e ka ofruar, mund të them që, ka qenë një shtysë që të vazhdoj angazhimin tim në këtë drejtim.
Roli i drejtorit ekzekutiv, më jep mundësinë të udhëheq përpjekjet që ‘Handicap Kosova’ të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh për të mbështetur këta persona dhe familjet e tyre, siç janë Shërbimet e fizioterapisë për fëmijë dhe të rritur; Shërbimet mjekësore; Këshillimin psikologjik; Mbështetjen sociale; Avokimin për të Drejtat; Servisin për furnizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve lëvizëse ose ortopedike. Këto detyra përfshijnë: Udhëheqjen Strategjike; Menaxhimin e Burimeve njerëzore, financiare dhe materiale; Promovimin i Ndërgjegjësimit dhe Bashkëpunimi me Palët tjera, Mbështetjen dhe Shërbime për Familjet; Monitorimin dhe Vlerësimin e Projekteve.
Këto përgjegjësi kërkojnë një angazhim të thellë dhe përkushtim për të siguruar që ne po ofrojmë ndihmën më të mirë të mundshme për personat me aftësi të kufizuara fëmijët dhe familjet që shërbejmë.
Cilat janë pengesat më të mëdha që përballen personat me aftësi të kufizuara në shoqërinë tonë?
Sfidat më të mëdha përfshijnë qasjen në shërbime shëndetësore cilësore, edukim gjithëpërfshirës, rehabilitim dhe mbështetje psikologjike, punësim dhe infrastrukturë të përshtatshme për lëvizjen e tyre në rrugë. Përveç kësaj, stigma dhe paragjykimet sociale mbeten një pengesë e madhe.
Të gjitha këto prekin cilësinë e jetës së tyre dhe të familjeve të tyre. Disa nga problemet më të mëdha janë:
▪ Qasja e kufizuar në shërbime shëndetësore dhe rehabilituese, sepse mungojnë qendrat e specializuara për trajtim dhe rehabilitim. Gjithashtu ndjehet mungesa fizioterapistëve dhe specialistëve të fushës në shumë komuna të Kosovës.
▪ Përfshirja e kufizuar në sistemin arsimor. Në Kosovë, përpjekjet për të integruar fëmijët me nevoja të veçanta, janë në zhvillim e sipër, mirëpo shkollat nuk kanë infrastrukturën dhe pajisjet e nevojshme për të akomoduar fëmijët me paralizë dhe aftësi tjera të kufizuara. Mungojnë edhe ekspertët e trajnuar.
▪ Përfshirja në Tregun e Punës. Këta persona kanë shumë pak mundësi për të punuar, për shkak të mungesës së vendeve të punës të përshtatura për ta. Punëdhënësit shpesh hezitojnë t’i punësojnë për shkak të paragjykimeve dhe mungesës së mbështetjes nga shteti për punësimin e tyre. Në ndërmarrjet ose kompanitë shtetërore dhe private, të cilat kanë të punësuar 50 punëtorë, është e obligueshme me ligj që ta punësojnë edhe një person me aftësi të kufizuar që në shumë raste nuk zbatohet.
▪ Barrierat infrastrukturore dhe transporti publik. Transporti publik nuk është i përshtatur për ta, duke kufizuar lëvizjen dhe pavarësinë e tyre.
▪ Stigma dhe mungesa e ndërgjegjësimit shoqëror. Personat me aftësi të kufizuara shpesh përballen me diskriminim dhe përjashtim shoqëror. Mungesa e fushatave të mjaftueshme për ndërgjegjësimin e publikut mbi të drejtat dhe aftësitë e këtyre personave.
▪ Mbështetja e pamjaftueshme financiare dhe institucionale. Përfitimet financiare janë të ulëta dhe nuk mbulojnë nevojat e përditshme. Familjet e tyre shpesh mbeten pa ndihmë dhe janë të detyruara të mbulojnë vetë të gjitha shpenzimet për trajtime dhe kujdes.
Këto sfida e bëjnë jetën e këtyre personave më të vështirë, por Handicap Kosova po punon për të përmirësuar situatën e tyre. Unë them gjithmonë se, çdo pengesë ka një zgjidhje, për sa kohë nuk dorëzohemi.
Sa ka përparuar Kosova në përfshirjen dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara në fusha si arsimi, shëndetësia dhe punësimi?
Kosova ka përparuar shumë karshi viteve të mëhershme, po jo mjaftueshëm. Ne presim që në ditët në vijim me pas konsideratë te gjithë si institucionet shtetërore ashtu edhe ato private që të japin mbështetje më të madhe në këto fusha.
Për të adresuar këto sfida dhe ndryshuar këtë realitet, është e nevojshme përmirësimi i politikave shtetërore, mbështetja e komunitetit dhe investimet në arsim e shëndetësi, mbështetja financiare për familjet e prekura si dhe zbatim më i rreptë i ligjeve ekzistuese.
Nëse e shohim çdo pengesë si mundësi për të mësuar dhe për t’u forcuar, atëherë çdo vështirësi na afron më shumë me qëllimet tona.
Si e vlerësoni bashkëpunimin me institucionet shtetërore për të adresuar nevojat e këtij komuniteti dhe sa mbështetje merrni?
Bashkëpunimi me institucionet shtetërore është për t’u dëshiruar pasi që nevojat janë shumë të mëdha, kurse realizimet e vogla për shkaqe të buxhetit dhe për këtë arsye përkrahja është e vogël në organizimin e aktiviteteve të ndryshme si sportive, kulturore, etj.
Institucionet mund të ndihmojnë duke investuar më shumë në infrastrukturë të përshtatshme, duke zbatuar ligje më të forta për mbrojtjen dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara dhe duke ofruar më shumë mbështetje për familjet e tyre.
Si i financon shoqata aktivitetet e saj dhe sa e vështirë është të sigurohet mbështetje financiare e qëndrueshme?
Zoti, na inkurajon kujdesin për të tjerët, veçanërisht për ata që janë në nevojë. Ky veprim është një formë e shprehjes së dashurisë dhe mëshirës dhe, nga ana tjetër, na ndihmon të zhvillojmë virtyte si dhembshuri, mirësjellje dhe solidaritet.
Shoqata aktivitetet e saj i realizon me vështirësi. Përkrahja e vetme janë subvencionet, grantet dhe projektet e ndryshme të cilat nuk munden t’i mbulojnë as 20% të aktiviteteve.
Ne jemi gjithmonë të hapur për donacione, mbështetje të projekteve tona dhe angazhim vullnetar. Çdo kontribut, qofshin ato financiare apo në formë kohe dhe eksperiencës, është i çmuar.
Çfarë roli luajnë shoqëria civile, donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë në mbështetjen e kësaj kauze?
Fati i fëmijëve me paralizë dhe personave tjerë me aftësi të kufizuara është një nga sfidat më të vështira që mund të hasë një individ. Ata përballen me pengesa fizike dhe shpesh edhe sociale, të cilat kërkojnë mbështetje dhe kujdes të vazhdueshëm. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se, pavarësisht kufizimeve, kanë potencial të jashtëzakonshëm dhe mund të arrijnë shumë përmes mbështetjes adekuate, edukimit dhe mundësive për t’u shprehur dhe për t’u zhvilluar.
Në shumë raste, mbështetja nga familja, shoqëria dhe organizatat e specializuara është thelbësore për t’u siguruar që ky komunitet të kenë mundësi të barabarta për të arritur potencialin e tyre.
Deri më tani shoqëria civile dhe donatorët kanë luajtur rol të rëndësishëm në ofrimin e mbështetjes morale, financiare dhe logjistike, ndonëse dihet që në Kosovë nuk ka fabrikë që prodhon mjete ortopedike dhe sanitare (karroca, shëtitore, paterica, mjete tjera lëvizëse). Të gjitha këto kemi arrit t’i sigurojmë përmes donatorëve lokal dhe të jashtëm me ndihmë monetare.
Fushatat e sensibilizimit dhe programet e përfshirjes sociale janë shumë të rëndësishme për të krijuar një mjedis më të hapur dhe gjithëpërfshirës.
Disa mënyra konkrete për të kontribuar përfshijnë: vullnetarizmin, kampanjat e ndërgjegjësimit, donacionet, organizimin e eventeve, bashkëpunimin me biznese, angazhimin në politika publike.
Nëse secili qytetar dhe organizatë kontribuon në këto mënyra, shoqëria mund të bëhet më e drejtë dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë.
A mendoni se ligjet aktuale janë të mjaftueshme për të garantuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara?
Edhe pse janë miratuar shumë ligje në favor të personave me aftësi të kufizuar, ato nuk janë të mjaftueshme dhe, ndonëse të miratuara, nuk zbatohen. Nevojitet më shumë ndërgjegjësim dhe investim për të arritur përfshirje të vërtetë.
Shteti duhet të sigurojë financim të qëndrueshëm për shërbimet sociale, të zbatojë standarde të qasshme në ndërtesa dhe transport, të krijojë programe punësimi. Gjithashtu, nevojitet një strategji kombëtare për arsimin gjithëpërfshirës.
Sa ka ndryshuar perceptimi i shoqërisë për personat me aftësi të kufizuara gjatë viteve dhe cilat janë përpjekjet tuaja që të ndikoni në vetëdijesimin e shoqërisë dhe për të luftuar paragjykimet?
Perceptimet kanë ndryshuar për gjatë viteve, por ende varet nga faktorë të ndryshëm si kultura, niveli i arsimimit, politika sociale dhe mediat. Ky perceptim mund të jetë pozitiv dhe mbështetës në disa raste, por mund të përfshijë edhe paragjykime dhe stereotipe që ndikojnë në integrimin dhe mirëqenien e tyre.
Këta persona shpesh shihen si të pafuqishëm ose të varur, duke u nënvlerësuar aftësitë dhe potenciali i tyre. Ata përballen me diskriminim. Në vend që të njihen për aftësitë dhe kontributet e tyre, shpesh trajtohen me mëshirë ose si “të veçantë”.
Një moment i paharrueshëm mund të jetë ndërveprimi që kanë një vizion dhe pasion të fuqishëm për jetën, pavarësisht kufizimeve. Ata mund të na mësojnë shumë për besimin në vetvete, mundësitë që krijohen përmes përpjekjeve dhe, mbi të gjitha, për rëndësinë e komunitetit dhe mbështetjes.
Ne, si Shoqatë përpiqemi që në takime të ndryshme, në tryeza me familjar, me persona me aftësi të kufizuar, institucione relevante, që të rritet vetëdijesimi dhe të luftohen paragjykimet.
A keni ndonjë histori që ju ka prekur thellë gjatë punës suaj? Cilat janë ato mësime që keni marrë nga këto përjetime?
Rastet sigurisht që janë të shumta. Janë histori të individëve që më kanë prekur thellë, por që vazhdojnë të tregojnë forcë dhe këmbëngulje.
Puna për gjatë viteve të bënë që të përballesh më shumë raste prekëse, megjithatë një rast që e kisha ndarë lidhet me diskriminimin që personi me aftësi të kufizuar e kanë pasur së pari nga familja, të cilët e kanë anashkaluar duke e ndarë në një dhomë veçmas një anëtarë të tyre 15 vjeç, i cili kishte pësuar në një aksident dhe kishte mbetur me aftësi të kufizuar.
Ai nuk ka pasur pajisjet që do t’ia mundësonin lëvizjen pasi që familjarët nuk kanë pranuar që kanë dikë i cili e ka të nevojshme me lëviz nëpërmjet mjeteve specifike. E kam bërë të pamundurën që të paktën të kontaktoj disi me të, të bisedoj dhe, pas disa vizitave, arrita që ta regjistrojë në Shoqatë, t’i ofroj karrocë, sepse ai për një kohë të gjatë nevojat e tij i ka kryer duke shkuar zvarrë.
Si person ka qenë shumë inteligjent, ka treguar shumë shkathtësi. Ndërkohë i është mundësuar ndjekja e një kursi për mësime kompjuterike, ndërsa më vonë në Shoqatë është marrë me databazën e të dhënave të personave me aftësi të kufizuara. Ka qenë njeri shumë i mirë, por mënyra se si është trajtuar nga familja më ka prek tejmase. Ky rast më ka bërë te ndjehem krenar që ai përkundër mundësive ka bërë arritje të mëdha.
Përjetimet me persona me aftësi të kufizuara janë shpesh një mësim i vlefshëm për të gjithë ne. Ata shpesh kanë një forcë dhe durim të jashtëzakonshëm për të përballuar sfida që shumica e njerëzve nuk i kuptojnë. Një nga aspektet më të fuqishme të këtyre përvojave është mënyra se si ata mund të na frymëzojnë, jo vetëm për të qenë më të kujdesshëm dhe empatikë, por edhe për të vlerësuar gjithçka që kemi.
Fati i njerëzve me aftësi të kufizuara është shpesh një udhëtim i mbushur me sfida të mëdha. Çfarë ju jep shpresë dhe forcë për të vazhduar këtë punë, pavarësisht bështirësive?
Ndonjëherë, veprat më të thjeshta mund të kenë ndikimin më të madh. Eksperienca e gjatë me personat me aftësi të kufizuar dhe përpjekjet e shumta të këtyre personave që të vazhdojnë jetën me vullnet të madh, më kanë shtyrë edhe mua që të kem dëshirë dhe motiv për t‘iu dal në ndihmë me aq sa kam mundësi. Besoj se çdo individ ka një vlerë të madhe dhe të drejtën për mundësi dhe barazi, pavarësisht nga sfidat që mund të hasin.
Fati mund të varet edhe nga përkushtimi i shoqërisë për të krijuar kushte të barabarta, për të luftuar diskriminimin dhe për të siguruar këta individë të kenë mundësinë të shprehin plotësisht potencialin e tyre.
Mbështetja që mund t’u ofrohet atyre është shumë më tepër se kaq. Shoqëria duhet të edukojë dhe të ndërgjegjësojë qytetarët për nevojat dhe mundësitë që kanë personat me aftësi të kufizuara, duke luftuar stigma dhe diskriminimin dhe duke krijuar një mjedis më të hapur dhe përfshirës.
Cilat janë planet dhe synimet tuaja për të ardhmen?
Përvoja më ka bërë të kuptoj se sa e rëndësishme është të ofrohet mbështetje dhe mundësi për ata që shpesh janë të neglizhuar nga shoqëria.
Planet e mija për të ardhmen janë që të zgjerohet stafi i Handcap Kosova në të gjitha komunat, të bëjmë disa qendra ditore ku mund t’i kryejnë aktivitetet e lira dhe ku mund të takohen personat me aftësi të kufizuar si dhe të kenë një jetë të pavarur.
Synoj të zgjerojmë shërbimet tona, të forcojmë bashkëpunimet me organizatat ndërkombëtare dhe të promovojmë politika më të forta mbështetëse për personat me aftësi të kufizuara.
Dhe krejt në fund, çfarë porosie do t’u përcillnit institucioneve, komunitetit dhe personave me aftësi të kufizuara?
Ftoj të gjithë të angazhohen për të krijuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Çdo ndihmë, qoftë financiare, vullnetare apo edhe një fjalë mbështetjeje, ka një ndikim të madh në jetën e këtyre personave dhe familjeve të tyre.
Ju kisha bërë lutje të gjithëve për përkrahje më të madhe për personat me aftësi të kufizuar, ndërsa për personat e kësaj kategorie ju kisha bërë thirrje të jenë sa më aktiv dhe të kyçen sa më shumë në shoqëri në mënyrë që edhe t’i largojnë paragjykimet.
Përfshirja nuk është vetëm një qëllim – është një proces që kërkon angazhimin e të gjithëve ne. Le të krijojmë një shoqëri që njeh vlerën e çdo anëtari dhe garanton respektimin e të drejtave, dinjitetit dhe potencialit të të gjithëve.
Foto ndër vite të aktiviteteve të Shoqatës “Handicap Kosova” në ofrimin e shërbimeve mbështetëse për individët me aftësi të kufizuara.
/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Qytetari i përlotur teksa Thaçi vendos kurorë me lule te varri i babait të tij në Burojë të Skenderajt

"Te varri yt erdha i fundit, babë", Mbishkrimi prekës në kurorën që vendosi Thaçi te varri i babait të tij

Pamje nga momenti kur Thaçi shkon te varri i babait të tij

Bëhet virale një video e Gjestit ku ai shihet duke folur vet më vete në dhomë - fansat e lidhin me efektet e izolimit në Big Brother

Pesë ditë pas vdekjes së babait të tij, Hashim Thaçi vjen në Kosovë

U raportua se SHBA ka një plan sekret për një luftë me Kinën dhe Musk është në dijeni, vjen reagimi i Trumpit

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Egli-Gjestit: Nuk e ke idenë se sa njerëz jashtë, nga kjo marrëdhënie kanë interpretuar që ne do të martohemi

Raportet e Inteligjencës Britanike: Gati një milion viktima ruse në Ukrainë

Putin i premtoi Trumpit armëpushim në Ukrainë, por Rusia sulmon ashpër Odesën

Gola, emocione dhe spektakël: Kosova fiton duelin e parë ndaj Islandës në play-off të Ligës së Kombeve

Kajtazi: Janë 720 spiunë në Kosovë, Shabani e Qerimi nuk janë kryesorët

UEFA ka ndaluar organizimin e shtatë ndeshjeve mes kombëtarëve evropiane, përmenden Kosova dhe Shqipëria