Nga fondacionet për artin e të drejtat e grave te rrëzimi i monarkisë – rrëfim i pazakontë për pushtet, identitet dhe mërgim

Madhëria e saj Perandorake Farah Pahlavi lindi më 14 tetor 1938 në Teheran, si fëmija e vetme e Sohrab dhe Farideh Diba. Pas vdekjes së të atit në vitin 1947, u shkollua në Itali dhe në shkollën e mesme persiane dhe franceze në Teheran, duke marrë diplomë me fokus në arsimim laik.


Farah e takoi për herë të parë Shahun, Mohammad Reza Pahlavi, gjatë studimeve në Paris. U martuan më 20 dhjetor 1959, ndërsa fustani i saj i nusërisë ishte vepër e Yves Saint Laurent. Në kokë i shkëlqente një tiarë me diamante, mes të cilëve ishte edhe guri më i madh rozë Noor-ul-Ain.

Gjatë sundimit të saj, ajo solli në jetë katër fëmijë: trashëgimtarin e fronit Reza (1960), princeshën Farahnaz (1963), princin Alireza (1966) dhe princeshën Leila (1970). Shahu e kurorëzoi në vitin 1967 si perandoreshë e Iranit, Shahbanu, transmeton Telegrafi.

Punë humanitare dhe angazhim kulturor

profimedia

Farah Pahlavi punoi pa u lodhur për avancimin e të drejtave të grave, fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara, për promovimin e kulturës dhe artit, ruajtjen e arkitekturës dhe të mjedisit. Përmes Fondacionit Farah Pahlavi, financoi muze, qendra arti dhe organizata bamirëse. Vëmendje të veçantë i kushtoi ruajtjes së traditës iraniane, ringjalljes së zejeve fshatare dhe organizimit të ngjarjeve kulturore.

Perandoresha ishte e njohur për stilin perëndimor të veshjes dhe paraqitjen publike pa hixhab, prandaj e quajtën “Jackie Kennedy e Lindjes së Mesme”. Andy Warhol madje udhëtoi në Iran në vitin 1976 për t’i realizuar portretin.

Ajo themeloi biblioteka për fëmijë, loboi për ruajtjen e ndërtesave historike dhe hapësirave të gjelbra, dhe udhëhoqi Korporatën për rinovimin e Teheranit Jugor, e cila punonte për përmirësimin e kushteve të jetesës në periferi të varfra.

Veçanërisht ishte e përkushtuar në punën me të sëmurët nga lebra, duke u përpjekur t’u sigurojë arsimim, punësim dhe një komunitet të integruar, ndërsa njëkohësisht ftonte ekspertë ndërkombëtarë të kontribuonin në trajtim dhe rehabilitim.

profimedia

Mërgimi dhe humbjet personale

Me Revolucionin Iranian në vitin 1979, monarkia u rrëzua dhe familja Pahlavi u largua nga Irani. Shahu vdiq në vitin 1980 në Egjipt, ndërsa vajza e saj Leila vdiq në vitin 2001 nga mbidozimi, dhe djali Alireza në vitin 2012 kreu vetëvrasje.

Sot Farah jeton mes Francës dhe SHBA-së, ku ndodhen fëmijët dhe nipërit e saj. Ajo i mbështet aktivisht artistët iranianë, i përcjell zhvillimet në atdhe dhe pranon letërkëmbim nga bashkatdhetarët. Ka marrë shumë doktorata nderi, çmime dhe mirënjohje për punën humanitare.

profimedia

Projekte dokumentare dhe filmike

Përvoja e saj e jetës tashmë është temë e një projekti hollywoodian në bashkëpunim me Serendipity Group dhe Jon Powers Middleton. Filmi dhe projekti skenaristik do të pasqyrojnë qëndrueshmërinë e saj, besnikërinë ndaj identitetit iranian dhe kontributin në shoqëri, pavarësisht mërgimit që zgjat më shumë se 45 vjet dhe humbjeve personale.

“Dua të tregoj se çfarë është Irani dhe kush është populli iranian. Dua të flasin për vendin tim, historinë dhe kulturën e tij”, thotë Farah Pahlavi.

Martesa e saj me Shahun simbolizon një bashkim midis nënshtetasve dhe sovranit – një bashkim i një qytetareje me atdheun e saj, ndërsa vdekja e ndau familjen, por jo identitetin dhe përkushtimin e saj.

/Telegrafi/