Jack Grealish zgjodhi numrin 18 te Evertoni për t'i nderuar dy legjenda angleze

Futbollisti më i shtrenjtë anglez në histori, Jack Grealish, është larguar zyrtarisht nga Manchester City dhe do të luajë sezonin e ardhshëm në huazim te Evertoni.
28-vjeçari pavarësisht shumës së paguar nuk arriti të përmbushë plotësisht pritshmëritë që u krijuan pas transferimit të tij nga Aston Villa për rreth 120 milionë euro.
Manchester City ka vendosur ta dërgojë Grealishin në huazim për t’i dhënë më shumë minuta loje dhe hapësirë për të qenë lider në skuadrën e re, gjë që shihet si një mundësi e mirë për të gjitha palët.
Sot ai u prezantua zyrtarisht si lojtar i Evertonit, duke zgjedhur numrin 18 në fanellë – një numër me histori te klubi “Toffees”, i mbajtur dikur nga legjendat Wayne Rooney dhe Paul Gascoigne.
"Ka një arsye. Ka pasur numra të tjerë interesantë, por këta janë dy futbollistët e mi të preferuar anglezë. Paul Gascoigne dhe Wayne Rooney veshën numrin 18 këtu", deklaroi Grealish në prezantim, duke shtuar se ka marrë miratimin e Rooneyn për ta veshur këtë numër.
Evertoni nuk do të paguajë të gjithë pagën e Grealish gjatë huazimit, e cila arrin në 18 milionë euro për sezon. /Telegrafi/




















































