Sidomos pas lajmit mbi Samitin BE-Ballkani Perëndimor, në Tiranë më 6 dhjetor, mund të thuhet me gojën plot se është historike kthesa e tanishme nga vendet anëtare dhe institucionet e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor! Në fakt, ka kohë që flitet e shkruhet për këtë ndryshim paradigme (paradigm shift) me analiza, parashikime dhe kërkesa me zë të lartë. Gjithsesi, ishte Kovidi-19 dhe veçanërisht agresioni rus ndaj Ukrainës të cilët e bënë atë një “must” urgjent, që Ballkani Perëndimor të mos mbetet “oborri i pasmë”, por të bëhet sa më shpejt pjesë përbërëse e BE-së.
Bashkë me ShBA-në, ajo po realizon kthesën e tretë epokale në 33 vjetët e fundit. E para ishte shembja e komunizmit në Lindje, shpërbërja e BRSS-së dhe Jugosllavisë dhe anëtarësimi i 11 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në procesin historik të Zgjerimit Evropian/NATO më 2004-2007 që u mbyll më 2013 me Kroacinë. Kthesa e dytë madhore u bë më 1999, kur pas përfundimit të konfliktit të armatosur dhe gjenocidit serb në Kosovë, vendet e rajonit u përfshinë në Paktin e Stabilitetit të Evropës Juglindore dhe në Procesin e Stabilizim-Asociimit, ndonëse ky i fundit jo me suksesin e zgjerimit. Ndërsa, tani vjen momenti i tretë historik – afrimi i mëtejshëm dhe anëtarësimi në BE i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor; edhe pse, për shkak të specifikave dhe pengesave të njohura politike dhe historike, ky i fundit pritet të jetë më i gjatë dhe më i mundimshëm.
Kthesa e tanishme është historike, sepse nuk bëhet më fjalë për zhvillimin e një apo dy samiteve për rajonin që dikur ishte sensacion dhe aq. Ajo duket qartë qysh nga klima dhe atmosfera e tanishme pozitive, kur vendin e kritikave dhe qortimeve, hera-herës tejet të ashpra ndaj BE-së, po e zënë ftesat për ngjarje madhore, përgëzimet dhe premtimet për një të ardhme më të mirë në Ballkanin Perëndimor.
Ja, shihni, këtu e një vit më parë në samitet e BE-së debatohej deri në çastet e fundit nëse duhej lënë qoftë dhe si term fjala “Zgjerim” apo të zëvendësohej me “ përkatësim, perspektivë dhe integrim”! Ndërsa, tani “zgjerimi” është vendosur në krye të “sofrës” dhe agjendës së shumëllojshme evropiane.
Kthesa është historike, sepse po realizohet me një seri eventesh, strategjish dhe plane veprimi, me objektiva të qarta dhe të guximshme, duke filluar nga samitet e BE-së, që jo vetëm i kushtohen Ballkanit, por dhe zhvillohen në Ballkan!
Më konkretisht, liderët e rajonit muajt e fundit janë bërë pjesë e samiteve më të rëndësishëm të BE-së, madje dhe me të drejtë fjale. Kjo u pa në fund të qershorit në Bruksel; në vijim, më 6 tetor, ata ishin bashkë me 27 liderët e BE-së në Samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian, të cilit tashmë ato i përkasin, me perspektiva të reja bashkëpunimi. Madje, një ndër pesë folësit kryesorë nga rajoni në seancën plenare ishte kryeministri Edi Rama.
Moment i dytë i spikatur i kësaj kthese janë vizitat e niveleve më të larta të BE-së në rajon; në qershor ishte presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel; ndërsa tani së fundi, më 27-29 tetor pasoi vizita zyrtare e presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, me mesazhe pozitive solidariteti për t’i dhënë shtysë të re këtij procesi. Gjithashtu, muajt e fundit rajonin e vizituan për herë të parë Kancelari gjerman Olaf Scholz, si dhe kryeministrat e Finlandës, Luksemburgut, Holandës, Spanjës, presidenti italian Mattarela dhe të tjerë.
Nga ana tjetër, këto samite dhe ture janë shoqëruar me procese të rëndësishme politike, të cilat kanë në qendër të vëmendjes Ballkanin Perëndimor. Më 20-21 tetor në Berlin rifilloi funksionimi i Procesit të Berlinit pas një pauze 18 mujore me takimet e ministrave të Brendshëm dhe të Jashtëm; kulmi do të jetë më 3 nëntor me Samitin në Berlin, me praninë e gjashtë liderëve të rajonit, të dhjetë vendeve anëtare të BE-së dhe zonjës Von der Leyen që janë dhe sponsorizues të Procesit të Berlinit. Duke filluar me nënshkrimin e katër marrëveshjeve jetike në kuadrin e projektit madhor të BE-së të Tregut të Përbashkët Rajonal, Procesi i Berlinit do të intensifikohet më tej në shumë fusha, si një proces me përparësi, plotësues dhe inkurajues për anëtarësimin në BE. Praktikisht, ai do të çmontojë dhe “Ballkanin e Hapur”, këtë çyryk trilateral që ndryshe nga pompa dhe fanfarat qeveritare është kthyer në “mollë sherri” dhe “mur” ndarës në rajon dhe “mes vedi”.
Më tej, më 13 tetor u fut në rendin e ditës të BE-së liberalizimi i vizave me Kosovën, punë tjetër e pambaruar e BE-së në Ballkan. Pavarësisht nga rezervat lidhur me sqarimin e ETIAS, ky liberalizim mund të bëhet brenda këtij viti ose fillimin e vitit 2023. Ndërkohë, priten lëvizje nga pesë vendet anëtare për njohjen e Kosovës, sidomos nga Greqia dhe Qipro, të cilat kanë shtuar kontaktet me Prishtinën.
Samitet, vizitat dhe proceset e lartpërmendura janë njëra anë e medaljes. Por, po aq e rëndësishme është se ato po shoqërohen me akte, vendime dhe veprime në terren, me demarshe dhe përpjekje intensive në kërkim të zgjidhjeve përfundimtare të problemeve të mbetura pezull. Dhe, këtu ka patur disa hapa pozitivë. Më 18 korrik u çelën negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut; po ashtu, BE-ja, në bashkëpunim të ngushtë me ShBA-në, po intensifikon përpjekjet e saj për stabilitet në Bosnje dhe Hercegovinë, kundër tentativave përçarëse të nacionalistëve proserbë të Dodikut për ta afruar drejt BE-së. Ditët e fundit, Komisioni Evropian ka propozuar që Bosnjës t’i jepet statusi “Kandidat” në BE, si mesazh i fortë dhe qartë politik. Këto demarshe vazhdojnë në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, përfshirë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë.
Padyshim, procesi më delikat, më i vonuar dhe më i vështirë për paqen dhe sigurinë rajonale e më gjerë mbetet dialogu Prishtinë-Beograd me ofrimin së fundmi të modelit franko -gjerman, për të cilin jemi shprehur hollësisht më parë. Mirëpo, kjo kërkon impenjimin e të dyja palëve, e sidomos të Serbisë që është bërë pengesë me shumë qëndrime refraktare. Kjo e fundit, pas “periudhës së gjatë të mjaltit” me BE-në dhe me ShBA-në, po ballafaqohet me kërkesat për t’u impenjuar seriozisht në dialogun me Kosovën; jo më me deklarime dhe pohime kundërthënëse, por me angazhimin konkret për njohjen pa vonesë të Kosovës, heqjen dorë nga fushata e çnjohjeve dhe pengesave të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, me qëndrime të prera dhe të qarta kundra Rusisë, linjëzimin me politikën e jashtme të BE-së në sanksionet e saj dhe së fundi si nxitëse e azilit të paligjshëm nëpërmjet “Rrugës Ballkanike”. Kambanat euroatlantike po ushtojnë fort për Beogradin, që të përcaktojë drejtimin e vet strategjik, me Lindjen apo Perëndimin, me BE-në dhe ShBA-në apo me Rusinë dhe Kinën, se rrugë të mesme s’ka më!
Më sipër u trajtua aspekti gjeopolitik; por, që ai të bëhet efektiv dhe i besueshëm, BE-ja i ka paraprirë me plane dhe investime të mëdha ekonomike në rajonin tonë, që të përballojë me sukses papunësinë në rritje, të rritin nivelin e mirëqenies, të luftohet varfëria, të rritet bashkëpunimi ekonomik e tregtar, që të ngushtohen hendeqet tona të mëdha e të shumta me BE-në. Rikujtojmë këtu fondin prej 29 miliardë eurove për 2021-2027 të akorduar një vit më parë; 3,3 miliardë euro për përballimin e Kovidit-19 dhe qindra miliona Euro të tjera për policinë, sigurinë dhe në veçanti reformën e drejtësisë dhe gjyqësorit. Siç paralajmëroi Presidentja Von der Leyen në Tiranë, veç të tjerash, Samiti i 6 dhjetorit pritet të miratojë paketa me grante deri në 500 milionë Euro për përballimin e krizës energjetike në rajon.
Megjithatë, pavarësisht rëndësisë jetike të komponentëve të mësipërm, sërish asgjë nuk garanton siguri dhe sukses, nëse ato nuk shoqërohen nga brenda rajonit me punë, përpjekje dhe reforma demokratike. Gjeo-politika ndihmon, përforcon, përshpejton, por vendimtare mbeten vetë vendet dhe lidershipet tona.
Problematikat në rajon e sidomos në vendin tonë në këto fusha njihen dhe janë vërtet përvëluese. Ato janë nënvizuar dhe në Raporti e Progresit, më të fundit të Komisionit Evropian. Tashmë është koha të hiqet dorë nga strategjia e deritanishme kur vetëm kërkojmë, kritikojmë dhe demonizojmë të tjerët, madje dhe vetë BE-në për mosarritjet, gjynahet dhe dështimet tona. Kërkohet frymë e re politike brenda vendit, opozitës, mazhorancës dhe mobilizm i përgjithshëm për të zbatuar shpejt dhe me cilësi objektivat madhorë që përcaktohen në forumet e lartpërmendura; të shoqëruara me demarshe diplomatike në të gjitha “sheshet e ndërtimit” dhe “frontet e luftës”.
Mirëpo, fillimi te ne nuk duket aspak i mbarë, pavarësisht eufemizmat diplomatike, tamtamet dhe zhurma qeveritare. Mbi kokë vazhdojnë të na qëndrojnë varur tre projekt-ligjet tejet të debatueshme, të cilat janë “no-go” për BE-në, ShBA-në dhe FMN-në. Asnjë argument dhe justifikim nuk mund të fshehë pasojat e tyre katastrofike. Shqetësim tjetër ulëritës është krimi i organizuar dhe korrupsioni që është pak të thuhet se “janë shtruar këmbëkryq”. Jo më e mirë është gjendja e shoqërisë civile dhe sidomos e medias; kjo e fundit, në vend të ndihmohet, po penalizohet, po dërgohen gazetarë për “riedukim” si qëmoti, vetëm se guxojnë të bëjnë pyetje që i prishin humorin Kryeministrit; shumë alarmant është bërë azili i paligjshëm që po galopon me përmasa dhe ritme drithëruese në Evropë dhe sidomos në Britaninë e Madhe.
Këto dhe të tjera sfida kërkojnë analiza, përgjegjësi dhe masa të menjëhershme. Veçse jo duke ia “faturuar” skandalet, dështimet dhe pengesat opozitës, medias dhe organizatave ndërkombëtare; kur dihet se qeveria tanimë sundon të gjitha pushtetet, ndaj askush nuk ia ka fajin! Për pasojë, koncepti themelor perëndimor “ qeverisje e mirë” ka kohë që tingëllon si luks, mbasi tani kudo sundon çqeverisja.
Kujdes, të keqen e kemi brenda nesh; atë nuk e heqim dot vetëm duke akuzuar të tjerët. Ndryshe, rrezikun rus e kinez, për të cilin flitet po flitet aq shumë, mund ta nxjerrim jashtë nga porta, por shumë shpejt ai do të na hyjë nga dritarja!
Veç kësaj, kjo kthesë e BE-së nuk mund të ketë sukses nëse nuk përfshin, sa dhe si duhet, forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në të gjitha elementët, e jo thjesht stabilitetin si deri tani, ca më keq akoma, duke u lënë fushë të lirë veprimi apo dhe duke inkurajuar regjimet hibride në rajon. Një kthesë e tillë fillon duke forcuar mendimin dhe frymën perëndimore qysh nga diskurset e qeveritare. Ndërkohë, sovranizmi që po nxjerr kokën është demode dhe kudo gjetkë është zëvendësuar me euroatlantizmin; çka do të thotë se një pjesë të sovranitetit do ta dorëzojmë dora dorës te BE-ja dhe NATO, ama si mjet dhe mënyrën më të mirë për të garantuar paqen, sigurinë, demokracinë dhe shumë përfitime të tjera. Prandaj, ta lemë mënjanë sovranizmin, këtë “ binjak” me populizmin dhe euroskepticizmin, le të bëhemi më shumë evropianë, në “frymë dhe në germa”. Ndryshe dhe kthesa e re historike e BE-së, si shans i fundit politik për rajonin, mund të mbetet në letër, vetëm dëshirë e mirë dhe me plot zhgënjime.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Eskalon situata pas hedhjes së proteinave, përfshihen edhe banorët e tjerë
"Hykmete ku është paswordi?" - Kelmendi kërkon llogari nga ish-ministrja për platformën e digjitalizimit prej 5.6 milionë euro
Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër
Lista e ndihmave ushtarake për Ukrainën, top 10 shtetet që e ndihmuan në luftën kundër Rusisë
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit