Iu sekuestruan drogë në vlerë rreth 300 mijë euro, Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për të pandehurin

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit H.K., i cili gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se "Sipas kërkesës së prokurorisë, nga koha e pavërtetuar deri me datë 11.08.2025, në Prizren, i pandehuri H.K., pa autorizim, shpërndanë, shet, transporton, ndërmjetëson, dërgon, substanca narkotike apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që i njëjti posedon narkotikë të llojit 'Kokainë', me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes tek përdorues e substancave narkotike, ku me datë 12.08.2025, policia pas marrjes së informatave lidhur me të pandehurin se ishte duke ofruar për shitje dhe shpërndarje narkotikë, realizon bastisje në banesën e të pandehurit në rrugën “William Walker”, ku janë gjetur dhe sekuestruar: Tri tulla të mbështjella me foli dhe qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me peshë prej: 3.3 kg, 1kg të substancë të dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me mbetje të saj, 19 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit “kokainë” me peshë prej: 1.1 kg, 133 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit 'kokainë' me peshë prej 36,62 gram, një qese najloni me substancë te dyshuar narkotike të llojit 'kokainë' me peshë prej 0,32 gr., dy peshore elektronike; të holla (para) në vlerë prej 260 euro; një pajisje për vakumim të qeseve plastike; një motoçikletë PIAGGIO VESPA; një telefon mobil iPhone 15 Pro Max; një skalper; sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim".
Tutje në njoftim thuhet se sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e substancës narkotike, në tregun ilegal, mund të kap vlerën deri në 300,000 euro.
Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin. /Telegrafi/
















































