Në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës është prezantuar ndihma nga kontingjenti ushtarak italian me mjete mbrojtëse për të pasur më të lehtë ballafaqimin me COVID-19.

“Në ceremoni morën pjesë drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Basri Sejdiu, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ambasadori italian Nicola Orlando së bashku me kolonelin David Colusi të Armatës italiane”, thuhet në njoftimin për media.


Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, falënderoi shtetin italian për ndihmat e vazhdueshme që japin për shtetin e Kosovës, në veçanti për shëndetësi.

100625576 2600650496918407 4661107021691486208 o

“Ju falënderojmë dhe ju jemi mirënjohës që përkundër situatës së rëndë nëpër të cilën keni kaluar në shtetin tuaj, keni gjetur mundësi dhe na keni ndihmuar në vazhdimësi”, u shpreh ai.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ndihmat në sektorin e shëndetësisë i cilësoi si të mirëseardhura.

“Pandemia ndryshoi mënyrën tonë të jetës, na sensibilizoi dhe na bëri më të afërt me njëri- tjetrin, të bëhemi më shumë human dhe të respektojmë njëri- tjetrin. Një bashkëpunim i jashtëzakonshëm brenda Kosovës, duke filluar nga ata që ishin në vijën e parë të frontit, e bëri të mundur që ne si Kosovë të tejkalojmë mirë këtë pandemi, mirëpo një ndihmë e jashtëzakonshme ka qenë ajo nga miqtë ndërkombëtarë” përfundoi ai.

101617985 2600650653585058 1496215573401436160 o

Ambasadori Orlando, tha se edhe më tej duhet të kemi kujdes, meqë ekspertët paralajmërojnë edhe një valë të dytë të coronavirusit.

“Është e rëndësishme që mos ta ulim gardën në këtë fazë, kur ekspertët paralajmërojnë valën e mundshme të dytë të përhapjes së virusit në tërë botën. Distancimi social dhe pajisjet personale mbrojtëse si këto që po i dhurojmë sot janë çelës për suksesin e vazhdueshëm në parandalimin e përhapjes së coronavirusit në Kosovë”, theksoi ai.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla ka falënderuar shtetin italian për ndihmën e dhënë vendit tonë. Ai ka thënë se tani jemi në momente të mirë dhe po i kthehemi normalitetit.

Shefi i kontingjentit ushtarak italian, David Colussi, foli për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, i cili sipas tij ka qenë shumë i mirë dhe i efektshëm. /Telegrafi/