Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë të ditur se ka pranuar raportimet zyrtare lidhur me vdekjen e shtetasit të Kosovës, Selim Voca, i cili dyshohet se ka humbur jetën pas një aksidenti me tren në qytetin Aleksinac të Serbisë.

Voca ishte raportuar i zhdukur më 19 nëntor 2025 nga bashkëshortja e tij në stacionin policor në Mitrovicën e Jugut.


Sipas informatave zyrtare, trupi i pajetë i tij aktualisht ndodhet në Spitalin e Nishit.

MPJD njofton se është vënë në koordinim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë të trupit të të ndjerit në Kosovë.

Ndërkohë, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi po qëndron në kontakt të vazhdueshëm me familjen e viktimës dhe me autoritetet serbe, me qëllim të ofrimit të asistencës së domosdoshme dhe lehtësimit të procedurave të nevojshme.

Ministria thekson se të gjitha institucionet përkatëse të Kosovës do të ndërmarrin veprimet e duhura për trajtimin e këtij rasti me seriozitet dhe urgjencë.

Ndryshe, Selim Voca, me moshë 86 vjeç, kishte humbur lidhjet me familjen prej mëngjesit të datës 18.11.2025 kur kishte dalë nga shtëpia./Telegrafi/