Ish-ylli i Man Utd zbulon lojtarin i cili u trajtua sikur të ishte djali i Fergusonit

Vitet e 90-ta ndoshta duken si një kohë shumë e largët për tifozët e Manchester United, por ata përjetuan aq shumë suksese gjatë kulmit të trajnerit Alex Ferguson, sa që do të zgjasin për gjithë jetën.
United ishte forca dominuese në ditët e para të Ligës Premier, duke fituar titullin gjashtë herë midis viteve 1992/1993 dhe 1999/2000.
Ata fituan dy herë dopietën duke shtuar FA Cup në 1994 dhe 1996, dhe më pas arritën edhe më shumë duke fituar Ligën e Kampionëve për të përmbyllur tripletën e famshme në vitin 1999.
Sulmuesi dhe fituesi i çmimit ‘Lojtari i Ri i Vitit’ nga PFA, Lee Sharpe, ishte fitues tre herë i Ligës Premier me ‘Djajtë e Kuq’ dhe më vonë luajti për Leeds United, Sampdorian dhe Bradford City, përpara se ta mbyllte karrierën me disa periudha të shkurtra në klube të ndryshme.

Sharpe luajti afro 200 ndeshje ligë për United në Ligën Premier, por u përball me konkurrencën e Ryan Giggs për të qenë zgjedhja e parë e Ferguson në krahun e majtë.
Në vitin 1992, një telefonatë e famshme e Ferguson çoi në transferimin e një tjetër ylli në radhët e United.
Mesfushori francez me temperament të fortë, Eric Cantona, u transferua nga Leeds dhe konsiderohet gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj që ka luajtur në Angli.
Në një intervistë të fundit, Sharpe zbuloi se Cantona përfitonte trajtim të veçantë nga Ferguson.
"Ai ishte më shumë se thjesht i preferuari i trajnerit, në një moment ishte si djali i humbur që Ferguson kishte kërkuar”, tha Sharpe për FourFourTwo.
"Eric trajtohej ndryshe në dhomën e zhveshjes. Ishte e pabesueshme për t’u parë, por edhe mjaft qesharake. Ne ishim të kënaqur, sepse në fund të fundit, Eric ishte fenomenal”, përfundoi ai./Telegrafi/




















































