LAJMI I FUNDIT:

Ish-presidenti i Shqipërisë Nishani me kritika të ashpra për institucionet, pas vrasjes së Klodian Rashës

Ish-presidenti i Shqipërisë Nishani me kritika të ashpra për institucionet, pas vrasjes së Klodian Rashës

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e ka quajtur krim të rëndë e makabër vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha nga një zyrtar policor disa ditë më parë, ndërsa shtoi se kjo vrasje është vrasje shtetërore.

Nishani përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar ashpër institucionet shtetërore e të sigurisë në Shqipëri për shkak të kësaj ngjarjeje.


“Ky krim për familjen e të ndjerit do të jetë një plagë që nuk do të mbyllet kurrë për gjithë jetën e tyre, ndërsa për shoqërinë një moment reagimi përtej emocioneve dhe ndjeshmërisë ditore”, thuhet në reagimin e tij.

Postimi i plotë:

Vrasja pas shpine e 25 vjeçarit, Klodian Rasha është padyshim një krim i rëndë e makabër.

Ky krim për familjen e të ndjerit do të jetë një plagë që nuk do të mbyllet kurrë për gjithë jetën e tyre, ndërsa për shoqërinë një moment reagimi përtej emocioneve dhe ndjeshmërisë ditore.

Eshtë e vërtetë se vrasje policore ndaj qytetarëve kanë ndodhur e ndodhin në vende të ndryshme të botës.

Po ashtu është i vërtetë parimi se përgjegjësia për një krim është individuale dhe jo në çdo rast, vrasja prej një polici është vrasje shtetërore.

Rasti i ekzekutimit të Klodianit është një rast i rëndë i një vrasje shtetërore.

Jo, pse ekzekutimi erdhi prej armës qeveritare, as pse mund të besohet që urdhërin për ekzekutim e ka lëshuar ministri i brendshëm !

Por ka fakte kokëforta dhe publike  që ajo është një vrasje shtetërore.

Jo një por disa.

Çka është thelbi i përkatësisë së këtij ekzekutimi, nuk është emocioni, mostrajnimi, frika, nxitimi, gabimi apo tjetër cilësi e pavullnetshme e një punonjësi rastësor policie.  Jo !

Thelbi i analizës publike është motivimi i ekzekutorit.

Injektimi i motivimit tek ajo qënie e veshur me uniformë për të qenë i gatshëm edhe për të ekzekutuar qytetarin nëse nuk i bindet pushtetit politik.

Ky është prologu i analizës së këtij krimi makabër !

Motivimi i krijuar me investim të fortë politik e institucional !

Investimi politik që e ka pregatitur këtë polic të veprojë edhe për të ekzekutuar  një qytetar në pragun e shtëpisë së vet.

Akti i parë me policinë, që kreu kjo qeveri sapo erdhi në pushtet ishte minimi i ligjit organik të policisë së Shtetit, pikërisht në aspektin e politizimit të saj .

Milionat e shpenzuara prej ekspertizës ndërkombëtare për hartimin e atij ligji e më tej për komportimin operacional, u hodhën në koshin e plehrave !

Gjithkush e kujton gjuhën tinzare që nisi të imponohej mbi trupën e Policisë së Shteti ; “çunat tanë”, “bravo çuna”, …. nuk ishin një zhargon batutash, por projektimi i gjenit të policisë së partisë në vend të Policisë së Shtetit.

Punonjësit e policisë me shërbim prej 20-30 vitesh në polici u margjinalizuan, u fyen, u tradhëtuan dhe shiteshin tek grupet kriminale.

Ish funksionarë të lartë të përjashtuar më parë nga policia për bashkëpunim me grupet kriminale më të rrezikshme të vendit, u rikthyen në postet komanduese e vendimarrëse të policisë.

Paralelisht, partnerët e tyre nga bota e krimit nisën të lirohen çuditërisht nga burgjet, megjithëse të dënuar përjetë kur këta policë të korruptuar u përjashtuan nga policia.

Qartësisht dukej një dorë që projektonte e lëvizte të gjithë këtë llum që gatuhej e hidhej mbi këtë shtet.

Dora e një pushteti absolut që nuk duronte e as pranonte pengesa e kundërshti ndaj modelit të tij.

Rekrutimet në polici gjatë 7 viteve të  fundit janë bërë vetëm mbi një kriter !

Gadishmëria për të rrahur, dhunuar e vrarë këdo qytetar që do të guxojë të rrezikojë pushtetin.

Përzgjedhja politike është shoqëruar me një platformë të injektimit të ideologjisë së urrejtjes ndaj kujtdo që është kundër qeverisë .

Të gjithë e kujtojmë se si Policia u kap duke përdorur mjete ilegale të përgjimit të fshehtë.

Në vend të veprimit të ligjit, policia dhe ministri i kohës luanin komedi e talleshin me shtetin e qytetarët publikisht !

Morali që ushqente policinë ishte ; antiligji, ilegalja, dhunimi !

Të gjithë pamë se si oficeri i policisë, Zagani u përndoq, burgos  nga qeveria e madje rrezikoi ekzekutimin, për faktin se tentoi të godiste ortakërinë në trafikun e drogës midis pushtetit dhe krimit të organizuar.

Ndërsa garantuesit e paprekshmërisë së këtij bashkëpunimi promovoheshim si drejtorë policie, paçka se një ditë u arratisën e fshehën drejtësisë

Të ekzekutosh një djalë të ri, në pragun e shtëpisë së vet, pse e kaloi atë prag pas orës së mbrëmjes që i është tekur ta caktojë ashtu qeveria, duket si çmënduri !

Në fak gjithkush e mban mend mirë se si qeveria urdhëroi daljen në rrugët e kryeqytetit të tankeve e autoblindave me armatim të rëndë për të garantuar ndalimin e qarkullimit të qytetarëve nga pandemia.

Nuk ishte parë në asnjë vend të botës kjo sjellje qeveritare !

Mesazhi ishte për qytetarët.

Ata edhe mund të ekzekutohen nga armët nëse shkelin urdhërat e qeverisë !!!!!!

Të gjithë pamë me zë e figurë se si 5-6 policë i kërcyen sipër një fëmije të parritur mirë, pranë digës së liqenit, e rrihnin tek i thyenin me shkelma të vetmen pasuri e ndoshta pasion që kishte ai i ri, biçikletën !

Kryeministri i vetëm në periudhën post diktaturë në Shqipëri që në takime pune publike me policinë e shtetit, sulmonte, fyente e kërcënonte opozitën politike të vendit.

Pak më tej, urdhëronte policinë të hiqte kapelet pasditet e fushatës elektorale e të mblidhnin vota për qeverinë !

Egërsia e dhunës mbi artistët e ngujuar tek Teatri Kombëtar, rrahja brutale pa ditur pse, e gazetarëve dhe studentëve universitarë që adhuronin teatrin dhe trashëgiminë kulturore, konfirmoi se gjeni i ri i policisë që motivohet nga urrejtja ishte formësuar.

Kushdo që përpiqet të gjej arsyetime relativizuese nga ekzekutimit makabër i një të riu në pragun e shtëpisë së tij, me plumba pas shpine, tenton më kot !

Sot, është më e qartë se kurrë për çdo shqiptar, kudo në çdo cep të botës që ndodhet.

Problemi është helmi i urrejtjes që është injektuar nga pushteti tek resursi policor i rekrutuar në 7 vitet e fundit.

Urrejtja ndaj qytetarëve, urrejtja ndaj studentëve, urrejtja ndaj artistëve, urrejtja ndaj opozitës, urrejtja ndaj hallexhinjve, urrejtja ndaj gjithkujt që duhet t’i nënshtrohet frikës ndaj dhunuesit që vjedh e grabit çdo ditë e që nuk do shqetësim në këtë llum ku është zhytur.

Kjo urrejtje djallëzisht e projektuar në gjenin e një policie që edhe të vret po ti kthesh shpinën qeverisë !

Krimi makabër i 8 dhjetorit 2020, i ka vulosur një imazh qeverisjes aktuale. Vrasëse !

Ikja me turp e ministrit të brendshëm, është veçse kurbani i rradhës për të fshehur infeksionin masiv që kjo qeveri i ka shkaktuar një shoqërie të tërë.

Por edhe ajo vetë e di mirë se zgjidhja nuk vjen me kurbane pa vlerë !

E keqja reale njihet nga kushdo se ku është !

Ajo duhet shkulur me rrënjë dhe rrënja është e thellë,  me oligarkë, me gjobvënës, me zhvatës, me vrasës e trafikantë.

Ky ekzekutim, familjes Rasha i ka hapur një plagë përjetë.

Shoqëria e tërë duket e tronditur dhe reaguese.

Epilogu i këtij ekzekutimi është larg.

Drejtësia është më e para.

Por skenografia e epilogut ka nisur të duket.

Ka mbërritur momenti i bumerangut !

Frika e shpërfillur po derdh urrejtjen që nuk mbaron shpejt. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, e kishte dhunuar seksualisht një vajzë nën moshën 14-vjeçare

Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, e kishte dhunuar seksualisht një vajzë nën moshën 14-vjeçare

Drejtësi
Mediat në Ballkan, politika, ndikimi dhe sulmet ndaj gazetarëve “Reporterët Pa Kufij” japin alarmin e shqetësimin

Mediat në Ballkan, politika, ndikimi dhe sulmet ndaj gazetarëve “Reporterët Pa Kufij” japin alarmin e shqetësimin

Muhamet Hajrullahu
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare - të mos pushohet në ditët e javës kur festat bien në vikend

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare - të mos pushohet në ditët e javës kur festat bien në vikend

Lajme
Rama: Spitali i Kryeqytetit po bëhet, shumë shpejt projekti do të tenderohet

Rama: Spitali i Kryeqytetit po bëhet, shumë shpejt projekti do të tenderohet

Lajme
Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Kronika e Zezë
Mexhiti, Ahmetit: A është e vërtetë se keni bërë thirrje për bojkot të zgjedhjeve presidenciale

Mexhiti, Ahmetit: A është e vërtetë se keni bërë thirrje për bojkot të zgjedhjeve presidenciale

Politikë
Kalo në kategori