Ish-oficeri i ushtrisë izraelite, Golan: Izraeli po vret foshnjat për qejfi në Gaza

Pas muajsh paralajmërimesh nga organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë e vendeve perëndimore, tani kritikat e ashpra për ofensivën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës vijnë edhe nga vetë udhëheqja politike izraelite.
Kreu i opozitës, Yair Golan, gjeneral-major i ish-ushtrisë izraelite, deklaroi se Izraeli tashmë vitin e kaluar ka arritur qëllimin e tij kryesor ushtarak – shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake të Hamasit – dhe se vazhdimi i luftës shërben vetëm interesave politike të kryeministrit Benjamin Netanyahu, shkruan thetimesofisrael.
“Qëllimi i luftës, shkatërrimi i kapaciteteve ushtarake të Hamasit, është arritur tashmë në maj dhe qershor të vitit të kaluar. Që atëherë, në këtë luftë ka gjithnjë e më pak qëllime strategjike. Kjo nuk është më një luftë nga nevoja. Qëllimi kryesor tani nuk është më lirimi i pengjeve, por mbijetesë politike e qeverisë. Një vend i arsyeshëm nuk lufton kundër civilëve, nuk vret foshnja për argëtim dhe nuk ka si qëllim dëbimin e popullsisë”, tha Golan, duke theksuar se vendi po shkon drejt izolimit ndërkombëtar dhe po humbet kompasin moral.
Golan nuk është i vetëm që e kritikon Netanyahun pasi që edhe ish-kryeministri izraelit, Ehud Olmert paralajmëroi se Izraeli është në prag të kryerjes së krimeve lufte, duke theksuar se vrasja e mijëra civilëve palestinezë të pafajshëm dhe numri i madh i ushtarëve izraelitë që kanë humbur jetën tregojnë për “një luftë pa qëllim”.
“Ne luftojmë kundër terroristëve, por nuk duhet të luftojmë kundër civilëve”, tha Olmert për BBC-në.
Këto deklarata kanë shkaktuar zemërim midis anëtarëve të koalicionit qeverisës. Ministri i Arsimit, Yoav Kisch akuzoi udhëheqësit opozitarë për “fyerje ndaj ushtarëve izraelitë”, ndërsa deputetja, May Golan pretendoi se në Gaza ka “saktësisht 58 civilë të pafajshëm”. Disa shkuan edhe më tej — deputeti i Likudit, Nissim Vaturi i quajti Golanin dhe Olmertin “zëdhënës të Hamasit”.
Ndërsa konfliktet vazhdojnë, gjendja në Rripin e Gazës bëhet gjithnjë e më e rëndë. Sipas të dhënave të OKB-së, shumica e civilëve nuk kanë qasje në nevojat bazë, dhe ndihmat e dërguara shpesh nuk arrijnë tek ata që kanë më së shumti nevojë. Izraeli pretendon se ka mundësuar dërgimin e ndihmave – ditët e fundit kanë mbërritur 93 kamionë me miell, ilaçe dhe ushqime – por organizatat në terren paralajmërojnë se kjo është vetëm “një pikë në oqean”. /Telegrafi/



































