Komuna e Prishtinës sot nga ora 10:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, ku pikë e vetme e rendit të ditës është: Plani Zhvillimor Komunal (PZHK).

Ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu ka kundërshtuar këtë plan, duke thënë se ky plan është bërë pa transparencë dhe për interes të ndërtimit e të pronarëve të tokave, transmeton Telegrafi.


"Prapë n’fund t’mandatit. Prapë me ngut. Prapë pa qytetarë. Po dojnë me kalu Planin Zhvillimor Komunal, dokumentin që e përcakton se qysh ka me u zhvillu Prishtina n’10 vitet e ardhshme, veç 3 muaj para fushatës. I njëjti skenar u provu n’2013. U provu n’2021. Edhe tash n’2025. Pse gjithmonë n’fund? Pse gjithmonë pa kërku mendim prej qytetarëve? Ky plan s’është diskutu me qytetarë, s’ka pas transparencë, s’ka pas pjesëmarrje. E në vend me u bo për interes publik, po shihet që u bo për interes t’ndërtimit e t’pronarëve t’tokave", thuhet në reagimin e tij.

Ai ka pohuar se në fund të mandatit, nuk është mënyra me kalu një dokument që prek të ardhmen e Prishtinës.

"S’po flas për herë t’parë. Kam folë për këtë që prej 2013-tës, edhe n’2021, edhe tash po e them: në fund të mandatit s’është as momenti, as mënyra me kalu një dokument që kaq shumë e prek të ardhmen e Prishtinës. Nëse Komuna beson që ky plan është i drejtë, le ta kalojnë pas zgjedhjeve, me mandat t’ri, prej qytetarëve", pohoi ai.

Tutje, ai shtoi "E për ju që me të drejtë po ankoheni për rrugët e mbyllura n’qytet, kjo votë nesër është edhe ma keq: është vendim që ia vizaton fytyrën Prishtinës për dekadën tjetër, pa e pyet Prishtinën hiç. Boll mo me beton".

Sejdiu ka deklaruar se sot do të jetë i pranishëm në mbledhje, ku edhe do të kundërshtojë këtë seancë.

"Përnime prej 2017-ës s’kam hy në sallë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, po unë nesër kismet n’orën 10 jom n’këtë mbledhje që këta po dojnë me bo si shpejtë e shpejtë! E nëse edhe juve ju ka bo boll 'Prishtina e Përjetimeve', dokuni", theksoi ai mes tjerash.

Ndryshe, edhe Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë ka reaguar pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka ftuar një seancë të jashtëzakonshme për ditën e sotme.

“Ky është tentimi i radhës për ta kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit, për të cilin Ministria e Mjedisit ka konstatuar qartë shkelje të shumta procedurale dhe ligjore", thuhet në reagimin e LVV-së./Telegrafi/